Ministrja e Arsimit: Monitorojmë me vëmendje Maturën Shtetërore; denonconi çdo shkelje
Ministrja teknike e arsimit Mirela Karabina deklaroi se do të monitorojë me vëmendje procesin e Maturës Shtetërore. Karabina u shpreh se çdo shkelje e evidentuar do të analizohet dhe çdo procedohet sipas legjislacionit në fuqi. Ajo u bëri thirrje të gjithë mësuesve, nxënësve apo prindërve që të denoncojnë çdo parregullsi që vërejnë.
“Ne do të monitorojmë nga afër çdo aspekt të këtij procesi duke mos lejuar asnjë ndërhyrje, apo deformim që mund të ndikojë në cenimin e standardeve të këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe me ndikim të gjerë në opinionin publik.
Duke e parë në këtë këndvështrim, në të gjithë takimet që kam zhvilluar iu është kërkuar që të gjithë aktorët pjesëmarrës në administrimin e Maturës Shtetërore 2017, të zbatojnë me rigorozitet të gjitha detyrimet e përcaktuara në paketën ligjore që rregullon afatet dhe rezultatet e provimeve.
Paralelisht, kam përcjellë mesazhin tim, duke rikonfirmuar edhe sot në këtë deklaratë, se çdo presion apo premtim i bërë maturantëve është i papranueshëm dhe të gjitha rastet e evidentuara do të jenë pjesë e procesit të verifikimit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Çdo shkelje e evidentuar do të analizohet dhe çdo procedohet sipas legjislacionit në fuqi’, deklaroi ministrja.

