Ministrja Ogerta Manastirliu shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të dy mjekëve
Ministrja e Shendetesise dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka reaguar sot dhe për lajmin e hidhur te ndarjes se parakohshme nga jeta te dy mjekeve, me një postim ne faqen e saj ne Facebook
Postimi i Ministres:
“E sotmja është një ditë e dhimbshme për Mjekësinë shqiptare, për të gjithë ne! Fatkeqësisht, në ditët e tij të fundit, viti që po mbyllet mori prej nesh, dy mjekë të shkëlqyer, profesionistë të jashtëzakonshëm, Profesor Agim Sallakun, Drejtuesin e Shërbimit të Onkologjisë shqiptare dhe Doktor Arben Runën, Kirurg Traumatolog, me një eksperiencë shumëvjeçare, pranë Spitalit Universitar të Traumës. Lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta, të dy personaliteteve të mjekësisë shqiptare, Profesor Sallakut dhe Doktor Runës, është fort i hidhur. Me profesor Sallakun më mbetet kujtimi i një bashkëpunimi të shkëlqyer, që pata gjatë katër viteve që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Në 19 nëntor mora prej tij, mesazhin – që fatkeqësisht do të ishte edhe i fundit – për projektin e fuqizimit të radioterapisë në Spitalin Onkologjik. Më shkruante: “Filloi instalimi i akseleratorit të dytë. Jam i lumtur!”.
Edhe pse të dy mjekët e nderuar fituan beteja të panumërta me sëmundjet për pacientët e tyre, fatkeqësisht nuk mundën të fitojnë të fundit, betejën e tyre. Sot familjet kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa mjekësia shqiptare dhe shoqëria jonë ka humbur dy personalitete, mjekë të pazëvendësueshem, puna e të cilëve, jam e sigurt do të çohet përpara nga kolegët dhe studentët e tyre, që me aq pasion i kanë mbështetur dhe përgatitur. U shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të Profesor Sallakut dhe Doktor Runës dhe jam pranë tyre në këto momente të vështira të humbjes së njeriut të dashur”.

