Ministrja Xhaçka: Mbrojtja e fëmijëve është mbrojtja e së ardhmes
Certifikohen pjesëmarrësit e Kursit të III-të të Formimit të vazhduar mbi ‘Çështjet e mbrojtjes së fëmijëve”
Janë 30 punonjës nga e gjithë Shqiperia, të bashkive, njësive për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, specialistë për mbrojtjen e fëmijëve në polici, punonjës të organizatave që në fokus dhe punë të tyren kanë çështjet e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, punonjës social e psikologë të shkollave dhe punonjës të shërbimeve sociale rajonale, të cilët çertifikuan sot pas procesit trajnues për “Çështjet e mbrojtjes së fëmijëve”. Me këtë çertifikim u përmbyll raundi I III-të I trajnimeve dhe synimi është që këto trajnime të kryhen çdo vit, pasi është pjesë e sistemit të akreditimit të punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve, sipas ligjit të mbrojtjes së fëmijëve të miratuar në Shkurt.
Aktiviteti i djeshëm u organizua nga ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Agjencia për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni, ministrja Xhaçka u shpreh se vëmendja e qeverisë ka qenë në mbrotje të fëmijëve. “Këto vitet e fundit të qeverisjes së majtë, mbrojtja e fëmijëve ka qenë në vëmendjen e politikës dhe institucioneve më shumë se kurrë. Në pak muaj kemi bërë atë që nuk është bërë në më shumë se 25 vjet: Në shkurt të këtij viti, përpjekjet për përmirësimin e situatës së të drejtave të fëmijëve u konkretizuan me miratimin e ligjit të ri “ Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve”, i cili garanton mbrojtjen efektive të fëmijëve nëpërmjet një pune të koordinuar të strukturave si dhe ndarjen e qartë të roleve dhe përgjegjësive të tyre”,- tha Ministrja.
Xhaçka vlerësoi si mjaft të rëndësishëm dhe miratimin e Kodit për të miturit duke futur të drejtat e fëmijëve në sistemin e drejtësisë. “Në mars po të këtij viti mori jetë një tjetër dokument tejet i rëndësishëm “ Kodi i Drejtësisë për të mitur” i cili garanton mbrojtjen jo vetëm të fëmijëve të cilët kryejnë vepra penale, por edhe të atyre që vijnë në kontakt me ligjin si viktima ose si dëshmitarë të një krimi. Më në fund, sistemi i drejtësisë dhe sistemi i mbrojtjes sociale do të koordinohen në mënyrë që fëmijët, sidomos ato që janë viktima, të marrin shërbimin e duhur për të kaluar traumën dhe për të rifilluar një jetë normale, por edhe për tu rehabilituar dhe për tu ri-integruar në shoqëri”,- tha Xhaçka.
Një tjetër projekt i rëndësishëm, Xhaçka vlerësoi se është dhe miratimi i Axhendës Kombëtare për Fëmijët 2017-2020. “Së fundmi, kam një lajm të mirë dhe të shumëpritur nga shumë prej jush këtu sot: Qeveria sapo ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit “Axhendën Kombëtare për Fëmijët 2017-2020”. Kjo axhendë është një plan strategjik i plotë dhe gjithë përfshirës i cili e ka ngritur çështjen e fëmijëve në një prioritet për qeverinë. Vizioni i saj është të krijojë një mjedsi kur fëmijët jo vetëm të rriten të mbrojtur dhe të sigurtë, por edhe të zhvillojnë potencialin e tyre intelektual dhe mendor në maksimum”,- tha Ministrja.
Xhaçka tha se kjo axhendë është udhërrëfyes për mbrojtjen e të drejtave të fëmijeve nga të gjitha institucionet. “Një nga shtyllat kryesore të Axhendës është mbrojtja efektive e fëmijëve që mund të jenë të dhunuar, apo mund të jenë në situata të vështira, ose të braktisur – nëpërmjet krijimit të një sistemi efektiv mbrojtjeje ndërsektorial. Axhenda është plani ynë konkret se si do ti jetësojmë ligjet e reja, dhe politikat e reja për fëmijët – dhe është një dokument me aktivitete, indikatorë, buxhete dhe përgjegjësi të qarta. Ne duam që kjo të jetë axhenda jo vetëm e institucioneve tona qendrore, por edhe e pushtetit vendor, dhe e te gjithë partënerëve tanë që punojnë në fushën e fëmijëve. Ndaj ju ftoj ta përdorni sigurisht për të na kërkuar llogari dhe për të monitoruar institucionet tona, pasi kjo është shumë e rëndësishme, por edhe si një udhërrëfyes në punën dhe planet tuaja”,- tha Ministrja. Xhaçka shtoi se të gjitha politikat tona, edhe këto 3 dokumente të rëndësishme që përmenda, tregojnë qartë se synimi ynë parësor lidhur me fëmijët në Shqipëri është krijimi i një sistemi të integruar për mbrojtjen e tyre nga të gjitha format e abuzimit, shfrytëzimit apo neglizhimit. Ministrja theksoi se një proces i rëndësishëm është dhe akreditimi i punonjësve që merren me trajtimin e fëmijëve. “Bashke me MAS do të punojnmë që kursi të njihet zyrtarisht dhe miratohet nga institucionet tona. Në përpjekjet tona për ngritjen e sistemit të akreditimit të Punonjësve të mbrojtjes së fëmijëve, do të bazohemi në praktikat më të mira. Dhe e them me plot bindjen se ky Kurs, do të jetë një gur themelor për sistemin e akreditimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të këtyre punonjësve”,- tha Ministrja Xhaçka.
Ministrja u ndal dhe në shifrat e rasteve të fëmijëve të trajtuar nga institucionet. “Statistikat tregojnë se në 2016, Njësitë e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë vendin kanë trajtuar 1352 raste të fëmijëve në nevojë për mbrojte. Rastet e menaxhuara janë kryesisht raste të fëmijëve në rrezik, ose viktima të dhunës, abuzimit, moskujdesjes ose shfrytëzimit. Fëmijët në rrezik vijnë nga familje të varfra dhe janë përballur me situata të dhunës në familje, abuzimit fizik dhe seksual, shfrytëzimit për punë në rrugë, trafikimit, dhe në shumë raste, ata janë lënë pas dore nga prindërit apo kujdestarët në përmbushjen e nevojave të tyre bazë për mbijetesë”,- tha ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka.

