Mitingu i PD, lista e 20 personave që përfunduan në spital. Policia nis hetimin
Dhjetëra persona kanë përfunduar në Spitalin Francez në Tiranë për shkak të irritimit në sy dhe në pjesën e fytyrës.
Ora News ka siguruar listën e të paktën 20 prej tyre që kanë marrë trajtim në këtë spital.
Lënda dyshohet se ka ardhur për shkak të një gazi të përdorur në fryrjen e tullumbaceve, por nuk dihet saktësisht shkaktari i alergjisë së shkaktuar.
Të gjitha kanë deklaruar se kanë qënë duke kaluar nëpër bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orët e vona të mbrëmjes.
Asnjë prej tyre nuk ka paraqitur gjendje të rëndë, por ata kanë marrë mjekimin dhe janë larguar.
Policia e Tiranës, menjëherë pas sinjalizimit nga spitali për këtë dukuri, ka nisur kontrollin e bulevardit dhe të zonës përreth Kryeministrisë për të zbuluar nëse aty është shpërndarë ndonjë lëndë që krijon të tillë gjendje tek kalimtarët: Lotim, skuqje dhe kruarje të syve.
Tashmë po priten analizat e mostrave të marra në vende të ndryshme për të zbuluar shkakun e kësaj situate.


