Monumenti i nënë Zahide Jasharit, djepi që përkundi lirinë e Kosovës, vepra e mjeshtrit Sabri Behramaj

Nga Albert Vataj

Ka çaste kur historia nuk kërkon më fjalë, por një vështrim, një prehje duarsh, një heshtje që peshon si gur mbi ndërgjegje. Ngrihet në lartësinë e një vepre arti, për t’i bërë homazh të shkuarës, për t’i folur zëshëm së tashmes dhe për të kushtruar brezave me thirrje përkatësie, gjeneologjie, kombi, që zëfillin te nëna, bartësja dhe mëkuesja e jetës, sakrifikuesja e shenjtë e çdo bekimi të saj.
Ka figura që nuk bëjnë histori me armë e me fjalime, por me qumështin e gjirit dhe me gjakun që rrjedh pa britmë në damarët e sakrificës, por me thirrje eterne që dëgjohet nga limfa e gjëmimshme e jetës, në vetë hyjninë e nënës. E tillë është Nëna Zahide Geci Jashari, për të cilën liria nuk ishte vetëm ideal, por mish e kockë, bir e vëlla, jetë dhe dhembje, vetë përjetësia që i blatohet si një amanet gjeneratave përmes përjetësimit në art.
Në gjurmët e këtij kujtimi të përjetshëm, që nuk njeh harresë as kohë, u ngjiz edhe kjo vepër skulpturore që sot i ofrohet Kosovës, jo vetëm si një monument, por si një shenjë e përuljes sonë para mëmësisë që mbajti mbi supe dhe në shpirt, në çdo trokitje zemre dhe djepi, lirinë. Është një dëshmi artistike që e shndërron jetën e një gruaje të thjeshtë në ikonë kombëtare, një përkujtim se gjithçka fillon me nënën, dhe se në djepin që ajo përkund, mëkohet e ardhmja e një populli, aty hidhet fara e lirisë, mbin dhe harlise ëndrra e atdheut.
Siç është bërë prezent në publikimet e mediave, më 18 qershor 2025, në Skenderaj, zemra e Drenicës, u përurua në një vepër arti që tejkalon kufijtë e estetikës, për t’u bërë një thirrje ndërgjegjeje, një simbol i pashlyeshëm i mëmësisë shqiptare dhe sakrificës sublime: monumenti i Zahide Geci Jasharit, nënës së heronjve të kombit, Adem dhe Hamëz Jasharit, dora që përkundi një familje që u bë sakrificë dhe shkëndija e lirisë së Kosovës.

E gdhendur në bronz nga dora dhe shpirti i artistit, Sabri Behramaj, kjo figurë e përjetësuar në gjunjë, me duart mbi djep, nuk përkund vetëm një foshnje, ajo përkund lirinë, jetën, kombin. Në heshtjen e saj prej nëne që ka parë tërë tmerrin e luftës dhe që ka “mbijetuar” për të dëshmuar, ajo ngjall një fuqi që vetëm nënat e përjetshme dinë ta mbajnë brenda vetes, forcën për të rritur një brez që do të lindë lirinë përmes gjakut, flijimit dhe përkujdesit të palodhur.
Djepi, i pranishëm në vepër, është më shumë se një objekt, është një arketip. Ai është tempulli i fillimit, vatra e mëkimit të jetës dhe kulla e parë e mbrojtjes së një kombi. Në traditën shqiptare, djepi është mjeti i parë i edukimit, vendi ku mësohet ritmi i jetës nëpërmjet përkundjes, këngës, ninullës dhe lutjes.
Këtu, në bronzin e Zahide Jasharit, ajo bëhet një djep i historisë, ku kraharori i nënës nuk është më vetëm burim ushqimi fizik, por edhe burim shpirtëror, moral, atdhetar, shembulli që kungon hyjnoren që vjen përmes nënës dhe ngjitet në panteonin e magjishëm të artit.
Duart e nënës që përkundin janë duart e gjithë nënave shqiptare që kanë lindur jo vetëm fëmijë, por edhe ideale, dëshmorë, frymë dhe lavdi, duar që kanë fshirë lotët, kanë lidhur plagë, kanë thirrur thellësinë e tokës së lëruar me varre, për të mëkuar përmbushjne e amanetit, lirinë.
Në këtë vepër të Sabri Behramaj nuk ka britma, as patetikë. Ka një heshtje monumentale që e bërtet më fuqishëm se çdo fjalë, e çdo shprehje, ligjërimin elekuen të së cilit e zotëron vetëm magjia e artit.
Aty, në këtë monument, në këtë skulpturë, në këtë jetësim artistik shprehës, thirrës dhe ngulmëtar, është mishërimi jo i një nëne, por i gjithë nënave që mëkun jetën dhe përkundën lartësimin e këtij kombi, nëna që u ngjitën në përjetësi. Ky është thelbi filozofik i figurës, burrëria e gruas që doli nga magja e flakës së barutit, nga forca e paqes së brendshme, dinjiteti i atyre që nuk kanë nevojë të flasin sepse janë bërë vetë histori.
Nëna nuk shfaqet si viktimë, por si përkrahëse e jetës, mëkues e saj, rojtare e kombit, shtyllë e së ardhmes, vetë udhëprijësja dhe shërbestarja e së shenjtes, që etërit na e lanë amanet. Ajo është prehër i përkujdesjes, kështjellë e dashurisë, shpërgenjt e pandërprerë i trashëgimisë shpirtërore, që lidh gjeneratat me gjakun dhe amanetin e lirisë.
Nga pikëpamja psikologjike, kjo figurë është nëna, simbol i unitetit dhe i origjinës. Ajo është nëna tokë, nëna shenjtë, që përfaqëson pavetëdijen kolektive të një kombi që, përmes nënave të tij, ka ditur të ruajë gjuhën, besën, zakonet dhe lirinë.
Në këtë skulpturë gjejmë përfytyrimin e një nënë që nuk është vetëm e Adem dhe Hamz Jasharit, por e gjithë Drenicës, e gjithë Kosovës, e gjithë Shqipërisë. Në djepin e saj përkunden të gjithë ata që do të rriten për të qenë të denjë për atdheun.
Forma e përmbajtur, linjat e buta të bronzit dhe vështrimi i përqendruar e i dhembshur i figurës, e bëjnë këtë vepër një shëmbëlltyrë të estetikës së sakrificës. Nuk ka tepri, nuk ka glorifikim, ka dinjitet, ka pastërti dhe një shkëlqim njerëzor që e tejkalon materialin prej të cilit është bërë. Në këtë aspekt, skulptura është një ikonë moderne e një mëmësie që rri pezull ndërmjet tokësores dhe hyjnores.
Zahide Jashari, në këtë skulpturë, nuk është më vetëm një nënë që ka humbur familjen, një nënë e cila është pjesë e një sakrifice ikonike, legjendare, e një luftë që shkroi një epope, e një qëndrese që u ngulit thellë në trupin, shpirtin dhe vetëdijes së Kosovës dhe krejt shqiptarisë. Ajo është dëshmitare, kujtim i gjallë, amanet i historisë. Ajo qëndron në Skenderaj, në vendlindjen e saj, duke mos përkundur vetëm një djep, por një shpresë kombëtare, një kujtesë të pashlyeshme se liria është e brishtë, por edhe e pamposhtur kur përkundohet me dashuri dhe vendosmëri.
Ky monument i jashtëzakonshëm nuk është vetëm një vepër skulpturore. Është një rrëfim vizual, një lutje e heshtur, një përulje ndaj sakrificës së nënave shqiptare, që janë rrënja dhe kreshta e qenies sonë kombëtare. Në duart e Zahide Jasharit që përkundin djepin, ndjejmë lëvizjen e historisë, frymën e atdheut dhe ritmin e zemrës së një populli martir që nuk dorëzohet.
Në një qasje për ta dëgjuar heshtjen që ligjëron pas kësaj statikeje metali, rrekem të kumtoj se kjo vepër, e frymëzuar nga një figurë konkrete, nëna Zahide Geci Jashari, kapërcen kufijtë e një portretimi biografik, për t’u bërë një shëmbëlltyrë arketipike e mëmësisë shqiptare. Në thelb të saj qëndron jo vetëm përkujdesi amnor, por edhe një koncept më i gjerë, nëna si gjënezë e kombit, si epiqendër e frymës dhe qëndresës. Ajo që përndryshe do të ishte një grua në gjunjë me një djep përpara, në këtë skulpturë shndërrohet në një figurë mitologjike që mbart mbi vete jo vetëm dhimbjen, por edhe bekimin, durimin dhe fuqinë e jetës.
Ideja është thellësisht filozofike, nëna si burim i lirisë, sepse ajo është burim i jetës. Liria, kumton vepra, nuk lind nga armët, por nga gjiri i nënës, nga djepi që përkund brez pas brezi, nga dashuria që mëkon të ardhmen.
Vepra është ndërtuar me një ndjeshmëri të thellë për njeriun, për figurën e zakonshme që mbart peshën e jashtëzakonshmes. Artistikisht, ajo ndjek linjat e një realizmi të përmbajtur, pa teatrikë të panevojshme, por me kujdes ndaj detajit të ndjenjës, rënia e supeve, ngrohtësia e vështrimit, heshtja e buzëve, lëvizja e zgjatur dhe e kujdesshme e dorës mbi djep, fëmija që vështron ngulmues nënën. Këto elementë i japin veprës një psikologji të brendshme, një koncentrim emocional që nuk kërkon shpjegime.
Bronzi si medium i jep masë, peshë dhe përjetësi figurës, ndërsa statika e qëndrimit thekson forcën e brendshme dhe qetësinë e dhembjes, që i jep skulpturës një ngjyrë sakrale. Kjo nuk është thjesht një nënë që përkund fëmijën, por një priftëreshë e heshtur e kombit, që bekon ardhmërinë.
Djepi është elementi më i fortë simbolik në këtë vepër. Ai nuk është një objekt, por një qenie e dytë, një altar i jetës dhe i sakrificës. Në djepin që përkundet, nuk gjendet vetëm fëmija, është Kosova, është shpresa, është amaneti i atyre që dhanë jetën për lirinë.
Simbolika e djepit te shqiptarët është e lashtë,: ai është vendi ku fillon kombi. Përmes tij ndodh trashëgimia kulturore, ku përveç qumështit e ngrohtësisë, kalojnë edhe këngët, gjuhët, legjendat, ëndrrat. Dhe për këtë arsye, në këtë monument djepi është më shumë se një shenjë amësie, është objekti më metafizik i kombit shqiptar, ku fillon dhe mbaron gjithçka.
Në këtë vepër, artisti Sabri Behramaj nuk ka vetëm qëllimin për të përjetësuar një figurë të nderuar nga historia, por kërkon të bëjë një akt kujtese. Ai e ngre figurën e nënës Jashari, jo në një piedestal për t’u vështruar nga poshtë, por në një gjendje pranë, tokësore, njerëzore, në lartësinë e jetës së përditshme. Kjo është një zgjedhje kritike e vetëdijshme, për të treguar se historia e madhe ndodh në shtëpitë tona, në prehërin e nënave, në gjakun që nuk thërret, por që sjell dhe mban gjithçka në jetë, prej jetës, për jetën.
Vepra fiton kështu vlerën e një monumenti pedagogjik, jo për të trumbetuar lavdinë, por për të kujtuar rrënjët e saj. Një popull që harron nënat e tij, që harron djepin, është një popull që e ka humbur fillin. Kjo skulpturë është një ripërtëritje e fillimit.
Vepra e përkushtuar nënës Zahide Jashari është një akt memorie, një mesazh shprese, dhe një manifest për jetën që lind edhe në mes të zjarrit të luftës dhe vdekjes si një sakrificë e shenjtë lirie. Është një ndër veprat më të ndjera të skulpturës së pasluftës në Kosovë, jo për madhështinë e formës, por për madhështinë e së thjeshtës, të njeriut të zakonshëm që bëhet figurë kombëtare. Ajo është, në fund të fundit, një lutje e bronztë që përkundet në heshtje, por që flet për brezat që do të vijnë, përmes zërit të së tashmes, përmes madhështisë së veprës së artit.

SHKARKO APP