Më në fund u tha hapur në protestë: Objektivi është vetëm rrëzimi i Ramës e jo Zvërneci!
Pas ditësh të tëra protestash, debatesh dhe polemikash mbi Zvërnecin, projektin e Jared Kushner dhe Ivanka Trump apo çështjet mjedisore, sot para Kryeministrisë u dëgjua ndoshta deklarata më e qartë e bërë deri tani nga protestuesit.
Zërat kryesorë të protestës deklaruan se qëllimi i tyre është vetëm rrëzimi i kryeministrit Edi Rama dhe i klasës së vjetër politike. Sot vihet re se nuk ka folës dosido nga turma, por duket se një dorë e kujdesshme organizuese po nxjerr emra nga fushat e ndryshme të jetës shoqerore.
Nëse kjo është linja zyrtare e protestës, atëherë debati merr një kuptim krejt tjetër.
Për një javë me radhë, opinioni publik është përballur me argumente për mbrojtjen e Zvërnecit, për lagunën, për flamingot, për mjedisin dhe për investimin e madh të planifikuar në zonë. Por deklarata e sotme duket se heq çdo ekuivok: objektivi kryesor nuk është më projekti, por pushteti politik.
Kjo nuk është e paligjshme dhe as e pazakontë në demokraci. Çdo grup qytetar ka të drejtë të kërkojë largimin e një qeverie dhe të kundërshtojë klasën politike. Por është e rëndësishme që qytetarët të dinë qartë se për çfarë po protestohet.
Nëse kërkesa është rrëzimi i Edi Ramës, atëherë kemi të bëjmë me një protestë politike. Nëse kërkesa është ndalimi i një projekti të caktuar, atëherë kemi të bëjmë me një protestë shoqerore. Sot, për herë të parë, vetë protestuesit duket se e kanë sqaruar këtë dilemë.
Nga ana tjetër, lind pyetja se çfarë ndodh më pas. Në një sistem demokratik, qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve dhe votës. Protestat mund të ushtrojnë presion politik, mund të ndikojnë opinionin publik dhe mund të imponojnë debat, por ato nuk zëvendësojnë procesin zgjedhor.
Pikërisht për këtë arsye, deklarata e sotme mund të konsiderohet si momenti kur protesta hoqi maskën e debatit teknik për Zvërnecin dhe u shfaq hapur si një sfidë politike ndaj kryeministrit dhe establishmentit politik.
Tani mbetet për t’u parë nëse kjo lëvizje do të arrijë të zgjerojë mbështetjen e saj në publik apo do të mbetet një protestë e kufizuar me kërkesën e saj kryesore: largimin e Edi Ramës dhe të klasës së vjetër politike nga skena shqiptare.
Pas ditës së sotme duket se kjo protestë po synon ta kthejë në lëvizje politike, ku synon zgjedhjet e reja politike.
Kjo që u tha sot në protestë mbetet me fisnike se sa të luhet në emër të mjedisit e flamengove të Zvërnecit. Pra nga sot protesta është krejtësisht politike. Vetëm pritet të dali emri i liderit të kësaj lëvizje të re politike.


KOHA JONË SONDAZH

