Nëna u sëmur nga puna në fabrikë, djali përlotet dhe i premton se…
Sakrificat e një nëne heroinë si Memduhan, janë të paimagjinueshme. Një jetë me sakrifica për të ndihmuar tre fëmijët e saj, ajo është sëmurë në fabrikën e peshkut ku punonte dhe sot ka probleme me frymëmarrjen.
Për ti thënë faleminderit dhe për ti dhënë mesazhin për të mos neglizhuar veten, djali i saj, Edoni sot e ftoi në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela Shqiptare”. Ai dëshiron që ajo të mendojë më shumë për veten sesa për fëmijët dhe të mos neglizhojë ilaçet që i nevojiten, për shkak të parave.
20-vjeçari rrëfen vështirësinë e jetesës së nënës së tij në Milot, që prej martesës me të atin e tij, i cili për të siguruar para emigroi në Greqi, duke e lënë Memduhanë të rrisë 3 fëmijët e vetme.
Edoni dëshironte të ndihmonte sadopak situatën ekonomike të familjes së tij, ndaj filloi punë dhe një pjesë të pagës ia dërgonte të ëmës në Lezhë. Ajo i ka mbledhur për të paguar masterin e tij.
Ai thotë se e ëma e tij ka punuar në fabrikë peshku dhe se për të fituar më shumë para, ka pastruar edhe frigoriferët e peshkut, duke qëndruar për një kohë të gjatë në të ftohtë, gjë që bëri që ajo të ketë probleme me frymëmarrjen.
“Në një nga shkrimet më përpara shkruajta që ajo është një heroinë, duke patur parasysh një natë dimri shumë të ftohtë. Shikoj mamin te dera, kishte ardhur nga puna, sapo kishte nisur bora dhe acari i Milotit dihet, ishte shumë ftohtë. Ato flokët e borës më shumë se borë ishin akull, që kishin mbuluar trupin e saj nga rruga deri në shtëpi. Ishte tërësisht e mbuluar nga akulli, dridhej nga i ftohti që kishte në punë dhe si të mos mjaftonte ajo, gjithë rrugën e kishte bërë në të ftohtë. Nuk e njoha, nuk njihej, vetëm dridhej dhe ishte mbuluar nga akulli. Ajo nuk kishte fuqi për asgjë, as të ulej, as të hante, as të pinte. Që në atë moment ajo është etiketuar në mendjen time si heroinë dhe padiskutim që është heroina e jetës sime, është frymëzimi më i madh”,-tha ai.
Edoni përqafon të ëmën, duke na treguar kështu se sakrificat e nënave shpërblehen dhe fëmijët do t’u jenë përherë mirënjohës.

