OSHEE, rikthehet energjia elektrike në pjesën më të madhe të vendit
Energjia elektrike është rikthyer në shumë nga zonat ku mungonte prej ditës së djeshme.
“Falë punës intensive në terren nga punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është bërë e mundur të eliminohen pjesa më e madhe e defekteve në rrjetin elektrik shkaktuar nga reshjet e shiut duke rikthyer gjendjen drejt normalitetit. Sipas të dhënave të orës 19:00, kanë mbetur vetëm 16 fidera pa energji në rang vendi”, shkruan Ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri në profilin e tij në Facebook.
Ai gjithashtu thotë se defektet janë në fidera që furnizojnë me energji zona rurale dhe zona të thella, ku për shkak të motit të keq dhe goditjeve të reshjeve është shumë e vështirë të ndërhyhet. Aktualisht punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ndodhen në terren për të riparuar defektet e mbetura.

