Pashk Luka: Kemi bërë gjithçka të mundur konform ligjit dhe në shërbim të qytetarëve
Procesi i legalizimit në tërësi e veçanërisht në Qarkun e Lezhës ka qenë një nga sfidat më të mëdha të qeverisë Rama, i cili në perceptimin e përgjithshëm dhe nga puna e kryer me seriozitet deri tani ka rezultuar i suksesshëm, ama duket se jo gjithçka ka ecur në perfeksion. Sipas KLSH në një auditim të kryer fundvitin e shkuar në qarkun e Lezhës janë hasur disa shkelje, por që sipas z. Pashk Luka nuk bëhet fjalë për shkelje ligji. “Po, kjo që ju thoni është bërë publike. KLSH ka kryer një auditim të punës tre vjeçare 2014-2016 në ALUIZNI-n Lezhë. Do të ishte naive që të mendojmë, apo vetë ne të pretendojmë se në të gjithë atë volum pune të bërë nuk janë bërë gabime, sikurse kam qenë dhe jam shumë i bindur se nuk ka patur shkelje të rënda të ligjit, dëm ekonomik e veprime abuzive të stafit, aq më pak nga unë si drejtues i tij”, tregon për gazetën Koha Jonë ish-drejtori i ALUIZN-it, duke shtuar më tej se, “Ne jemi njohur me problematikën, i kemi dhënë gjithë sqarimet tona grupit auditues të KLSH, me të cilët kemi komunikuar në mënyrë korrekte e zyrtare. Në përfundim, na është dërguar zyrtarisht projekt-raporti dhe po zyrtartisht i kemi dërguar KLSH observacionet tona, për gjetjet e auditimit të detajuara me argumente të bazuara në ligj dhe akte të tjera të dala në zbatim të tij”.
Z. Luka, në një auditim të kryer fundvitin e shkuar KLSH ka gjetur shkelje, nga ku janë rekomanduar masa dhe së fundmi edhe kallëzim në prokurori për ju si ish drejtues i ALUIZN-it. Cili ka qenë reagimi juaj ndaj këtij kallëzimi?
Po, kjo që ju thoni është bërë publike. KLSH ka kryer një auditim të punës tre vjeçare 2014-2016 në ALUIZNI-n Lezhë. Do të ishte naive që të mendojmë, apo vetë ne të pretendojmë se në të gjithë atë volum pune të bërë nuk janë bërë gabime, sikurse kam qenë dhe jam shumë i bindur se nuk ka patur shkelje të rënda të ligjit, dëm ekonomik e veprime abuzive të stafit, aq më pak nga unë si drejtues i tij. Ne jemi njohur me problematikën, i kemi dhënë gjithë sqarimet tona grupit auditues të KLSH, me të cilët kemi komunikuar në mënyrë korrekte e zyrtare. Në përfundim, na është dërguar zyrtarisht projekt-raporti dhe po zyrtartisht i kemi dërguar KLSH observacionet tona, për gjetjet e auditimit të detajuara me argumente të bazuara në ligj dhe akte të tjera të dala në zbatim të tij. Po ashtu është bërë një takim ballafaques në KLSH, ku kemi dhënë e mbrojtur qëndrimet tona, si dhe disa ditë më pas personalisht i kam kërkuar takim zotit Leskaj, ku me porosi të tij jam pritur nga drejtues të këtij institucioni. Këtë takim e kam kërkuar, për të sqaruar veçanërisht dy detyra të lëna nga KLSH në rekomandimet e vitit 2013, por që kanë vijuar të trajtohen si fajësi, apo mungesë përgjegjësie e jona për zbatimin e tyre.
Po thoni që arsyetimet, apo argumentet tuaja nuk janë marrë parasysh?
Pak a shumë. Por, të çudit fakti se asgjë nga të gjithë argumentet tona nuk është reflektuar në raportin përfundimtar dhe më tej masat dhe kallzimi në prokurori janë surprizë në raport me gjetjet e konstatuara.
Në gjykimin tuaj ka problematika që nuk qëndrojnë?
Po, ka disa dhe ato që konsiderohen më të rëndat nuk kanë mbështetje të agumentuara në ligj dhe akte të tjera ligjore dhe për këtë jam shumë i bindur, gjë për të cilën siç u shprehëm më lart kemi dërguar observacionet e detajuara, problem të cilat i kemi konsultuar edhe me Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t për të qenë më të plotë në argumentimin teknik dhe ligjor. Kemi shumë distancë qëndrimesh, ndaj gjykojmë se ka patur nevojë për saktësime, apo koalidime teknike dhe juridike, gjë që ka munguar nga ana e tyre. Natyrisht kur ka shkelje ligjore, ka përgjegjësi dhe penalitete, por kur veprohet apriori në mënyrë të pamerituar është po aq e rëndë problemi që shkakton. Tashmë le të presim këtë rrugë të verifikimit dhe ballafaqimit ligjor, të nisur nga KLSH.
Prej disa muajsh nuk jeni më drejtues i atij institucioni, pra i ALUIZN-it. Parë më nga distanca dhe me syrin objektiv, cili do të ishte vlerësimi juaj për punën tre vjeçare që keni bërë, apo çfarë mendoni se mund të bënit ndryshe nga ç’keni bërë?
Ndjehem mirë me veten të shpreh se kam bërë gjithçka që mund të bënte një zyrtar i përgjegjshëm në krye të këtij institucioni tej mase të vështirë para ligjit dhe interesit të lartë qytetar. Ringrita dhe kam lënë një institucion të besueshëm, me tregues pune të vlerësuar pozitiv e në rritje. Mjafton të themi se vetëm për vitin 2016 janë dhënë 3000 leje legalizimi nga 1393 gjithsej, që janë dhënë për shtatë vitet e qeverisjes së kaluar. Kjo besoj nuk ka nevojë për argumente shtesë. Me këtë ritëm procesi i legalizimit në Lezhë duhet të ishte mbyllur sot, që flasim, apo e thënë ndryshe duhet të përfundojë në një periudhë tre vjeçare. Mbi të gjitha jam i bindur se kemi realizuar një proces legalizimi serioz në mënyrë të përgjegjshme ligjore e në transparencë me qytetarët, të pa ndotur nga metodat korruptive. Personalisht kam shërbyer me një sakrificë të lartë njerëzore, korrektesë zyrtare dhe kjo, që shpreh është në sytë dhe në mendjen e publikut dhe nuk mund të shembet nga disa gabime, shpresojmë të qortueshme dhe jo përgjegjësi ligjore e askujt. Nuk ka dalë dhe nuk do të mund të dalë asnjë njeri që të ngrejë gishtin akuzues ndaj meje për veprime korruptive, çfarë më bën të jem i qetë dhe krenar për atë punë, që unë kam kryer. Gjej rastin të kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve, që nuk kanë marrë shërbimin e kërkuar dhe të risqaroj se pengesa ka qenë gjithnjë e arsyetuar në ligj dhe jo korruptive dhe se Lezha i ka në shumicë të “kryqëzuara ndalesat”; Zonën e mbrojtur arkeologjike, turistike, mjedisore, lumenjtë, rrugët, etj..
Çfarë gjykoni se ka qenë një nga pengesat më të mëdha, me të cilat është përballur ALUIZN-i këto vite?
Një pengesë shumë serioze këto vite kanë qenë dhe mbetet defektet, apo diskordinancat, mes hartave aktuale kadastrale dhe hartave vektorial e me të cilët punon ALUIZN-i, fenomen i cili Qeveria me VKM 1095, datë 28.12.2015 ka ngarkuar me përgjegjësi ALUIZNI-n për ta zgjidhur.
E ndërsa gjithçka do të sqarohet me kohën, çfarë keni për t’u thënë qytetarëve që besuan në ju z. Luka?
Pikë së pari ju falenderoj juve për mundësinë që më krijuat për të komunikuar me shumë njerëz të interesuar për të thënë disa të vërteta dhe e dyta… qytetarët dhe stafi im e dinë shumë mirë, sesa me shpirt, seriozitet e vullnet kemi punuar për aq kohë sa isha në krye të atij institucioni.

