Pashkët /Policia e Shtetit në gatishmëri për parandalimin e ngjarjeve terroriste
Me qëllim parandalimin e ngjarjave me karakter terrorist, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri gjatë festës së Pashkëve.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Policia e Shtetit thotë ka kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e Festës së Pashkëve.
“Në këtë kuadër janë marrë në drejtim të rritjes së prezencës policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale. Të ruajtjes së rendit dhe të sigurisë në objektet fetare si dhe në ambjentet ku do zhvillohet festa e pashkëve. Në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, duke shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale”, sqaron policia.
Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.
“Në këtë kuadër në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata”, njofton Policia e Shtetit.
Një ditë më parë ambasada amerikan në Tiranë i bëri thirrje qytetarëve të saj që të kenë kujdes gjatë festës së pashkëve, pasi sipas saj terroristët mund të sulmojnë institucione fetare apo vende të tjera adhurimi.

