Pasionin e mori me vete, efektivja 26 vjeçare humb betejën e madhe
Pasionin e mori me vete. Xhulia Zyfi, efektivja që nuk e mundi dot sëmundjen dhe në fund u dorëzua, la ëndrrën në mes që një ditë të bëhej oficere në radhët e Policisë së Shtetit.
Prej gati tre javësh ajo u shtrua me urgjencë në spital pasi pësoi një hemorragji cerebrale në Akademinë e Sigurisë ku studionte.
26 vjeçarja ndërroi jetë këtë të premte në ambientet e spitalit, ndërsa prej 5 ditësh ishte në gjendje kome. Xhulia Zyfi shërbente prej 5 vitesh në radhët e Policisë së Shtetit. Nënkomisarja e re kishte lindur me një problem në zemër, dhe një vit më parë kishte bërë ndërhyrje.
Zyfi nga Pogradeci, kishte marrë gradën nënkomisare gjatë studimeve në Akademinë e Sigurisë, ndërsa së fundi ishte emëruar edhe në detyrën e re të saj.
Të afërm, kolegë dhe miq të saj i qëndruan pranë për ditë me radhë në spital me shpresën se Xhulia mund të fitonte këtë betejë.

