Për të argëtuar Kryeministrin, Edi Rama dhe PS i heqin dritat Tiranës
Pjesa më e madhe e lagjeve të kryeqytetit ndodhen në errësirë. Nga informacionet që ka siguruar “Koha Jonë” nuk bëhet fjalë as defekt teknik dhe as ndonjë remont të detyruar të linjave që furnizojnë me energji Tiranën.
Arsyeja pse OSHEE ka ndërprerë energjinë lidhet me aktivitetin që po zhvillohet në qendër të Tiranës, për inaugurimin e sheshit “Skënderbej”. Në këtë aktivitet është i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama, i cili po e përdor këtë inaugurim si pjesë të fushatës elektorale.
Për shkak se në shesh janë vendosur qindra prozhektorë të kapaciteteve të mëdha është dashur që të ndërpriten disa linja që furnizojnë Tiranën.
Sigurisht, sheshi “Skënderbej” është një nga veprat më të rëndësishme të Tiranës gjatë viteve të fundit dhe duket përgëzuar për këtë projekt. Por do ishte më mirë që një aktivitet i tillë të ishte lënë ditën dhe të mos penalizonte qytetarët.
Inaugurimi i tij në mes të fushatës elektorale dhe për më tepër përdorimi edhe i spektaklit si marketing fushate duket si një shërbim që i bëhet kryeministrit Edi Rama. Sheshi mund të ishte inauguruar edhe ditën dhe qytetarët do të kishin mundësi të shihnin më mirë rezultatin e punimeve. Duke e vendosur një aktivitet natën dhe ku pjesë kryesore të inaugurimit e zinte fjalimi i Edi Ramës, duket se kjo ceremoni është më shumë për të argëtuar kryeministrin, sesa për tu prezantuar qytetarëve sheshin e ri.
Edhe nëse koha e gjetur për inaugurim, fjalimet elektorale dhe përdorimi i inaugurimeve të bashkive si bonus elektoralë për PS-në mund të jenë të diskutueshme, një gjë nuk ka nevojë për shumë debat. Qytetarët e Tiranës nuk kanë pse rrinë në errësirë, për shkak të fushatës dhe argëtimit të Edi Ramës.

