Përmbytjet, disa këshilla se çfarë duhet të bëni me të vërtetë
Shqipëria po përjeton përmbytjet më të rënda. Nuk është asnjëherë e tepërt të thuash se kur ka reshje kaq të dendura, nuk duhet të dalësh nga shtëpia. Ndërsa dje dhe sot shiu bie pa reshtur një sekondë të vetëm, Tirana dhe qytete të tjera po përjetonin trafik të dendur, si të ishte mesi i verës. Prandaj, qindra makina kanë mbetur të bllokuara në autostradë që nga dje.
Aksi Durrës-Tiranë, aksi Durrës-Kavajë, Gjirokastër-Lunxhëri, Bilisht-Kapshticë janë bllokuar, si edhe mijëra shtëpi tani notojnë në ujë për shkak të daljes nga shtrati apo rritjes së nivelit të disa lumenjve. Vjosa ka dalë nga shtrati, po kështu lumi Zezë në Fushë-Krujë, lumi Derven, kurse niveli i lumit Osum është rritur tejmase.
Në këto kushte s’do mend që s’del dot nga shtëpia, por të duhet të përballesh me situatën e jashtëzakonshme, kur të gjithë duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Disa këshilla
Së pari, duhet të ndihmojmë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët, pasi për ta është më e vështirë lëvizja dhe përmbytjet mund të kthehen në rrezik për jetën e tyre. Nëse je më i ri dhe më i fortë se ata që ke rrotull, zgjat dorën dhe shpëto.
Qëndrojuni larg pusetave dhe kanaleve ujëmbledhës edhe në zonat ku niveli i ujit nuk është aq i lartë, pasi një aksident i vogël mund t’ju kushtojë jetën.
Nëse ujërat po vijnë për t’ju përmbytur shtëpinë, mos dhe mos rrezikoni jetën për mobiljet, por nxitoni të gjeni vendin e lartë më të afërt, ku të mund të jeni të sigurtë dhe ku ujërat nuk ju prekin.
Në raste evakuimi, duhet të lëvizni menjëherë dhe të ndiqni forcat e emergjencave civile, që ju drejtojnë drejt automjeteve dhe vendeve të sigurta. Merrni me vete vetëm sendet e nevojshme, jo të mbushni kutitë ndërsa të tjerët rendin me vrap për shkak se niveli i ujit po arrin lartësi të frikshme.
Nëse jeni në makinë, ndaloni sa më shpejt dhe parkohuni në vende më të sigurta se nuk do të përmbyten.

