Përmbytjet/Situata në Tiranë, prefektja: Shkoza në rrezik
Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari në një lidhje telefonike me emisionin “7 pa 5” në Vizion Plus tha se gjendja në Tiranë është nën kontroll, por një situatë e vështirë është krijuar në Breg Shkozë.
Valiasi dhe Ndroqi që dje kishin probleme janë rehabilituar, ndërsa tha se nuk ka pasur bashkëpunimin e kryetarëve të bashkive të Kamzës dhe Vorës.
“Situata e re është krijuar në Breg Shkozë, forcat po shkojnë aty për të parë situatën. Themi se e kemi situatën në dorë. Nëse do ketë intensitet të lartë shirash, del situata nga kontrolli, por eksperienca e ditës së djeshme na vuri para përgjegjësisë sepse duhen koordinuar të gjitha strukturat. Punojnë por janë të ndara. Organizim më të mirë kanë Forcat e Armatosura, Policia dhe Zjarrfikësit. Në Valias është qetësuar situata, për disa orë ishte e komplikuar pasi zjarrfikësja që shkoi për të evakuuar njerëzit u përmbys nga rrëshqitjet masive të dheut. Në Ndroq kemi pasur gjithashtu rrëshqitje dheu, por për një orë situata u normalizua. Bashkëpunim me Vorën dhe Kamzën? Patëm probleme natën e kaluar pasi nuk po komunikoja dot me ta, falënderoj median që iu përgjigjën thirrjes, sepse ata nuk ishin në terren as Vora dhe as Kamza, por kryetarët e bashkive sërish nuk u paraqitën”, tha prefektja e qarkut të Tiranës Suzana Jahollari.

