Pikat kufitare, hapen sportele shtesë; Ja si paraqitet situata
Departamenti për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen në pikat e kalimit kufitar në këtë periudhë festash. Këto masa janë marrë me qëllim shmangien e radhëve të gjata.
Aida Hajnaj, drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin gjatë inspektimit të masave të marra në pikat kufitare të Kakavijës dje tha se: “Është marrë kontakt me homologët e palës greke, të Maqedonisë, Kosovës për të koordinuar veprimet me qëllim sigurimin e lëvizjes së njëtrajtshme nga të dyja krahët si në hyrje ashtu dhe në dalje. Nga kontaktet e marra kemi siguruar një bashkëpunim të mirë me homologët të cilët kanë shtuar edhe ata sportelet”.
Më tej ajo tha se është forcuar kontrollit në kufirin jeshil.
“Kemi shtuar prezencën e patrullave në kufi. Kemi koordinuar veprimet me homologët që të kemi edhe patrullime të përbashkëta me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale që mund të tentojë të kryhet nëpërmjet kufirit jeshil e blu. Në bashkëpunim me autoritet doganore kemi forcuar kontrollin në pikat e kalimit për parandalimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike, ku mund të përfitojnë nga fluksi i hyrje-daljeve”.

