Plan masash për parandalimin e drogës, monitorime nga ajri
Policia e Vlorës ka ndërmarrë një plan masash për parandalimin, evidentimin, goditjen e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Monitorim nga ajri e toka për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Në monitorim edhe njësia e GdF-së për Vlorën, pjesë e Nuklit për Kufirin Detar me komandë qendrore në Durrës. Gjatë ditës së sotme në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, është zhvilluar një takim pune për të koordinuar veprimet mes Policisë së Shtetit dhe GdF-së, për monitorimin nga ajri, deti e toka, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të trafikimit të tyre.
Në takim morën pjesë Drejtori për Krimet në Policinë e Shtetit Josif Shtëmbari, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Gentian Shehaj, Komandanti i njësisë së GdF-së për Vlorën Kapiten Francesco Della Corte.
“Do kontrollojmë me përgjegjësi çdo cep të territorit nën juridiksionin e Drejtorisë Vendore të Policisë, Vlorë. Çdo parcelë e kultivuar që do të konstatohet, do të analizohet dhe do të nxirren personat përgjegjës që ngarkon ligji për kontrollin e territorit. Në bashkëpunim me Pushtetin Vendor po koordinojmë veprimet për të realizuar një kontroll sa më të mirë të territorit. Po bashkëpunojmë me të gjitha agjensitë ligjzbatuese, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni në kohë reale, për të bërë të mundur goditjen e rasteve që mund të shfaqen, por edhe për evidentimin dhe kapjen e autorëve”,tha Shehaj.

“Jemi të vendosur të ndëshkojmë cilindo punonjës policie, që do të neglizhojë në zbatimin e detyrës, apo më keq akoma që mund të implikohet në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Do të mbështetim nga qendra çdo Drejtori Vendore të Policisë me mjete logjistike e forca policore të FNSH-së e RENEA-s, në rast se do të lindë nevoja. Monitorimet nga ajri, deti e toka do të intensifikohen më tej në ditët në vijim”,-tha Shtëmbari.

