Plumbat e një nacionalisti serb që vranë arkidukën Franz Ferdinand dhe futën botën në luftën që i kushtoi 20 milionë jetë

Nga Albert Vataj
Plumbat që qëlluan mbi arkidukën Franz Ferdinand dhe bashkëshorten e tij Sofi në mesditën e 28 qershorit të vitit 1914 në Sarajevë, bënë shumë më tepër sesa thjesht ndërprenë dy jetë aristokratike. Ata shkrehën një reaksion zinxhir që do të shndërrohej në njërën prej katrahurave më transformuese dhe më të përgjakshme të historisë njerëzore, Luftën e Parë Botërore. Sot, më shumë se një shekull pas asaj ngjarjeje, kur bota ka hyrë në vitin 2026 dhe kujton plot 112 vite nga ajo shkëndijë fatale, jehona e atyre dy të shtënave vazhdon të dëgjohet jo vetëm në librat e historisë, por edhe në tensionet e pashkallmuara gjeopolitike të Ballkanit dhe më gjerë. Përllogaritet se më shumë se 20 milionë njerëz paguan çmimin më të lartë, jetën e tyre, për të ushqyer oreksin e një konflikti global që përfshiu gjashtë kontinente. Edhe pse përleshjet më intensive u përqendruan në llogoret e Evropës, flaka e “Luftës së Madhe” la gjurmë hiri në çdo cep të globit, duke dëshmuar se si një akt i vetëm nacionalist mund të zhbënte tërësisht rendin botëror të vendosur që nga epoka napoleoniane.

As vetë atentatori, studenti serbo-boshnjak Gavril Princip, nuk do ta kishte imagjinuar kurrë shkallën e shkatërrimit që do të sillte idealizmi i tij radikal. Pistoleta e tij nuk shtriu përdhe vetëm trashëgimtarin e fronit austro-hungarez, por rrëzoi si domino katër nga perandoritë më të fuqishme të kohës. Perandoria Austro-Hungareze u copëtua në një mozaik shtetesh të reja; Perandoria Gjermane pa rënien e dinastisë së saj prusiane dhe humbjen e kolonive; Perandoria Ruse u përfshi nga flakët e revolucionit bolshevik; ndërsa Perandoria Osmane përmbylli përfundimisht historinë e saj shekullore. Nga gërmadhat e këtij rregulli të vjetër lindën kombe të reja si Çekosllovakia, Polonia, Finlanda dhe Jugosllavia. Megjithatë, kjo përmbysje radikale gjeografike dhe politike nuk arriti ta evoluonte njerëzimin në mendësi. Paqja e brishtë që pasoi lindi drejtpërdrejt nga gjaku i kësaj lufte dhe, për fat të keq, polli një tjetër katastrofë edhe më të madhe, Luftën e Dytë Botërore, duke vërtetuar se llogaritë e vjetra thjesht ishin shtyrë, por jo zgjidhur.

Paradoksi më i madh i kësaj historie qëndron në faktin se figura e Gavril Principit mbetet edhe sot e kësaj dite një “Nyjë Gordiane” që ndan mendësitë e gjeneratave të sotme. Pyetja nëse ai ishte një hero çlirimtar apo një terrorist gjakftohtë vazhdon të jetë një vijë ndarëse e thellë etnike në Bosnjë-Hercegovinë dhe në mbarë rajonin. Për komunitetin serb, Principi portretizohet si një simbol i lirisë dhe rezistencës kundër pushtuesit të huaj habsburg, ndërsa për boshnjakët dhe kroatët ai shihet si një nacionalist radikal, akti i të cilit shkatërroi një epokë stabiliteti dhe të ardhmeje evropiane. Kjo ndarje shkon përtej debateve akademike; ajo shpërfaqet në përmendoret e ndryshme që ngrihen në të njëjtin shtet, ku politikanët lokalë shpesh manipulojnë faktet historike për të nxjerrë kapital politik dhe për të legjitimuar oligarkitë e tyre nacionaliste. Siç vërejnë edhe analistët bashkëkohorë, elitat politike në pamundësi për të ofruar zhvillim ekonomik, preferojnë të riciklojnë historinë, duke e parë atentatin e Sarajevës jo me kthjelltësi shkencore, por përmes thjerrëzës së traumave të luftërave të viteve ’90.

Në prapaskenën e atij korriku fatal të vitit 1914, dokumentet historike dëshmojnë se Principi nuk veproi në vakum, por ishte pjesë e një makinerie më të madhe të dirigjuar nga organizata sekrete si “Dora e Zezë”, një strukturë ushtarake serbe që përdorte terrorizmin për jetësimin e projektit të Serbisë së Madhe. Kur Austro-Hungaria i dorëzoi Serbisë ultimatumin e saj të ashpër prej dhjetë pikash, fati i botës u vulos. Pavarësisht përpjekjeve të fundit diplomatike, brenda pak javësh mekanizmi i aleancave sekrete u vu në lëvizje: mobilizimi rus solli reagimin gjerman, Plani Schlieffen çoi në pushtimin e Belgjikës neutrale dhe ky i fundit detyroi Britaninë e Madhe të hynte në luftë. Në fund të këtij rrugëtimi të përgjakshëm, njerëzimi kuptoi se paqja e bazuar mbi ekuilibrin e forcave ushtarake ishte vetëm një iluzion. Edhe sot, kur shohim se si bota moderne përballesh me kriza dhe ndasi të ngjashme, kuptojmë se hendeku që hapën ata dy plumba në Sarajevë nuk është mbyllur plotësisht, duke na kujtuar se sa e brishtë është paqja kur ushqehet nga paranojat dhe nacionalizmat e verbër.
KOHA JONË SONDAZH

