Policia jep detaje: Ja si ndodhi atentati me 2 të vrarë në Vlorë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës këtë pasdite pasi një atentat me armë ka ndodhur në qendër të qytetit në zonën e njohur si “Sheshi i flamurit”. I vrarë në një atentat me armë ka mbetur kreu i OSHEE-së Roland Saliu.
Lapsi.al mësoi se viktima tjetër është Erves Hysani, pronar i nje TV lokal, i nje lokali dhe nje hoteli ne qytet. Viktimat kane qene ne nje tavoline. Janë pare 2 autorë te cilët kanë qenë të armatosur me kallashnikov. Ata nuk kanë nguruar të kryejnë aktin pavarësisht se zona ishte e tejmbushur me njerëz.
Burime nga vendi i ngjarjes thanë se autorët kanë qenë të maskuar. Automjeti i autorëve, është gjetur i djegur në fshatin Panaja të Vlorës. Policia ka blinduar qytetin ne te gjitha hyrjet dhe daljet. Burimet thonë se edhe vete ministri i ri i brendshëm është nisur drejt vendit te ngjarjes./Lapsi.al/
Reagimi i policisë
Në një informacion paraprak policia thotë se ngjarja ndodhi rreth orës 19:40, në “Sheshin e Flamurit”. Sipas uniformave blu është është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një lokali. Për pasojë, thotë policia kanë mbetur të vdekur 2 shtetas: R.S., Drejtor i OSHEE-së dhe E.H., i cili ka ndërruar jetë disa minuta më pas në Spitalin Rajonal Vlorë. Sipas policisë autorët pasi kanë qëlluar me armë zjarri të dyshuar “Automatik” janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Policia thotë se ka ngritur pika kontrolli në qytet, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer veprimet e mëtejshme proceduriale.

