PS hap garën për Kavajën dhe forcon bashkitë e majta
Projektligji për riorganizimin territorial nuk shihet vetëm si një ndryshim i hartës së bashkive, por ka hapur edhe diskutime për ndikimin që mund të ketë në garën politike të zgjedhjeve lokale të vitit 2027. Edhe pse socialistët e shmangin këtë këndvështrim, analiza e rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2023 në zonat që pritet të preken tregon ndryshime të rëndësishme në balancat elektorale.
Një nga shembujt është veriu i vendit, ku bashkimi i Pukës me Fushë-Arrëzin nuk i jep shumicë të majtës, por dobëson pozitat e demokratëve, të cilët nga dy bashki potencialisht të fitueshme mbeten me një të tillë. Në jug, lëvizjet territoriale favorizojnë socialistët. Memaliaj pritet të përfshihet në bashkinë e Tepelenës, duke ndryshuar raportet e votës në këtë zonë.
Një tjetër rast është Rrogozhina, ku PS fitoi në vitin 2023 pas një gare të kontestuar, ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur u dënua më pas për korrupsion aktiv në zgjedhje. Pavarësisht vakancës në drejtimin e bashkisë që prej shkurtit, nuk u zhvilluan zgjedhje të reja, pasi në plan ishte bashkimi i saj me Kavajën. Sipas përllogaritjeve të votave të mëparshme, ky konfigurim i ri anon sërish lehtë nga demokratët, por e bën garën më të ngushtë.
Në disa raste të tjera, mazhoranca pritet të konsolidojë avantazhet e saj duke bashkuar njësi më të vogla me bashki të drejtuara nga socialistët. Belshi do të përfshihet në Elbasan, ndërsa të njëjtin model ndjekin edhe bashkimi i Dimalit, Këlcyrës dhe Libohovës me zona më të mëdha. Përtej argumentit administrativ, ndarja e re territoriale sjell edhe një rishpërndarje të potencialit elektoral, duke ndryshuar terrenin ku partitë do të përballen në zgjedhjet lokale të vitit 2027.
KOHA JONË SONDAZH

