FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Radio gjermane DW: Protestat në Shqipëri, qeveria duhet të pyesë veten “Pse?“

Protestat në Shqipëri janë në javën e dytë të organizimit. “Gen Z“ kërkon ndryshimin e kastës politike, një dukuri që ekspertët e shohin gjithnjë e më në rritje në Ballkan dhe më gjerë në botë.

Kur në një ditë të nxehtë maji, një qytetar në Zvërnec u tërhoq zvarrë nga policia private, sepse po protestonte kundër ndërtimit të resortit lukoz të Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zonë, askush nuk i kishte menduar ngjarjet që do të pasonin më pas dhe që rrodhën shumë shpejt.

24 orë më vonë, pasditen e 31 majit, një grupim qytetarësh u grumbullua përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të protestuar kundër dhunës së përdorur nga policët privatë dhe mungesën e reagimit nga policia e shtetit, përfaqësuesit e së cilës ishin aty kur ndodhi ngjarja, por nuk ndërhynë. Kauza e mosreagimit policor u shndërrua brenda së njëjtës natë në rebelim kundër ndërtimit të resortit brenda zonës së mbrojtur, një ndër më të bukurat zona bregdetare në Shqipëri, me një biodiversitet të rrallë dhe plot flamingo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pa asnjë logo politike, me organizim të shoqërisë civile dhe aktivizëm të nisur në rrjetet sociale, mijëra qytetarë i shtuan kauzës mjedisore edhe një listë të gjatë problemesh, mes shumë syresh: korrupsionin, varfërinë, shpopullimin dhe arrogancën qeverisëse.

Swiss Digital Mobile Reklama

I ashtuquajturi “Revolucioni Flamingo” është në javën e dytë të tij dhe tani qytetarët e kanë kthyer në ritual protestën para godinës së kryeministrisë. Ata shkojnë aty me fëmijë, prindër, miq dhe protestojnë dhe marshojnë paqësisht. Refuzojnë siglat politike, si majtas ashtu edhe djathtas, dhe kërkojnë pezullimin e projektit në Zvërnec e Sazan dhe dorëheqjen e qeverisë Rama. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama deklaron se asnjëra prej tyre s’do të ndodhë, pasi vetëm një vit më parë ai u votëbesua në zgjedhjet parlamentare.

Pse pikërisht tani?

Iliriana Gjoni nga qendra kërkimore “Carnegie Europe” me seli në Bruksel, organizatë e cila hulumton ҫështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë europiane, thotë se “është veçanërisht interesant momenti në të cilin po ndodhin këto protesta”.

“Në Shqipëri, shumë nga debatet që po zhvillohen sot mbi konsultimin publik, transparencën, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e qeverisjes, lidhen ngushtë me standardet që vendi ka marrë përsipër të zbatojë në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.Pikërisht për këtë arsye, protestat duhen parë me maturi dhe respekt. Në një demokraci funksionale, tubimet paqësore dhe shprehja e pakënaqësisë qytetare nuk përbëjnë kërcënim për stabilitetin. Përkundrazi, ato janë pjesë e mekanizmave përmes të cilëve shoqëritë korrigjojnë veten, forcojnë institucionet dhe ndërtojnë besim mes qytetarëve dhe shtetit” -thotë ajo në një intervistë për Deutsche Welle.

Për Ivaylo Dinev, nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Europën Lindore (ZOiS) me seli në Berlin, “këto protesta janë një përpjekje për të rinegociuar kontratën sociale”.

Për Deutsche Welle, studiuesi Dinev analizon se protestat nuk duhen parë vetëm si një reagim ndaj një projekti të vetëm, por si pjesë e një beteje më të gjerë.

“Në këtë mënyrë duhet t’i kuptojmë slogane të tilla, si “Shqipëria nuk është në shitje”. Protestuesit argumentojnë se interesi më i gjerë publik, në vend të interesave të ngushta të elitave politike dhe ekonomike, duhet të përcaktojë rrugën e vendit” – thotë Dinev.

“Lufta hibride”

Që pas nisjes së protestave të qytetarëve, kryeministri Edi Rama ka pretenduar për ndikim të huaj që ka dorë në organizimin e protestave apo për “luftë hibride” të orkestruar nga Irani.

Megjithatë, ekspertët nuk bien dakord me këto pretendime.

“Në rajonin tonë, akuzat për ndërhyrje të huaja shfaqen shpesh në debatet politike, veçanërisht gjatë mobilizimeve të mëdha qytetare” – shprehet Gjoni. Sipas saj, “çdo shtet duhet të jetë vigjilent ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe fushatave të ndikimit”. Megjithatë, kjo nuk i zhbën kauzat e qytetarëve.

„Nëse mijëra njerëz dalin në rrugë, pyetja kryesore për çdo qeveri demokratike nuk duhet të jetë vetëm se kush mund të përfitojë nga protestat, por edhe pse këto protesta po rezonojnë me një pjesë të shoqërisë. Qytetarët duhen trajtuar me respekt dhe seriozitet. Përgjigjja më e mirë ndaj pretendimeve për ndërhyrje të huaja nuk është delegjitimimi i protestave, por transparenca, informacioni publik dhe institucione të besueshme që gëzojnë besimin e qytetarëve” – analizon studiuesja Gjoni nga „Carnegie Europe”.

Dinev sjell në vëmendje protestat e studentëve në Serbi dhe reagimin e qeverisë atje.

“Pamë reagime të ngjashme në Serbi, ku përfaqësuesit e qeverisë fillimisht i paraqitën demonstratat si përpjekje të nxitura nga jashtë për të destabilizuar vendin. Lëvizja shqiptare bashkon qytetarë nga prejardhje të ndryshme shoqërore dhe orientime politike. Më e rëndësishmja, Shqipëria mbetet një nga shoqëritë më pro-europiane dhe pro-perëndimore në Ballkan. Kërkesat qendrore që dalin nga protestat kanë të bëjnë me të mirën e përbashkët, llogaridhënien dhe përfaqësimin, në vend të riorganizimit gjeopolitik” – analizon ai.

Sipas tij, „këto protesta sfidojnë një supozim të përhapur gjerësisht se inovacioni demokratik udhëton gjithmonë nga Perëndimi në Lindje. Disa nga format më krijuese të mobilizimit në Europë, sot po dalin pikërisht nga Ballkani”.

“Gen Z”

Që prej vitit 2020, një ndër fenomenet që hulumtuesit e shkencave politike po studiojnë, janë protestat e udhëhequra nga “Gen Z”, ose ndryshe të lindurit në periudhën 1997 – 2012.

Në shumë rajone të botës, si në Azinë Jugore, Amerikën Latine apo Afrikën Veriore, të rinjtë që organizohen përmes rrjeteve sociale dhe kryesisht TikTok, janë ata që po bëjnë revolucion në organizimin e protestave masive, për të kundërshtuar regjimet në vendet e tyre. Së fundi, dhe në Europën Lindore e Ballkanin Perëndimor. Edhe në Shqipëri, rinia e këtyre protestave duket se organizimin e bën në platformat sociale e veҫanërisht në TikTok, platformë e pezulluar për gati një vit nga qeveria Rama në prag të zgjedhjeve të kaluara parlamentare gjatë 2025-ës.

“Idetë e protestave kapërcejnë kufijtë” – thekson Dinev, i cili në qendër të punës së tij kërkimore ka edhe përfshirjen e “Gen Z” në protestat e Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë.

Në rastin e Shqipërisë, ai mendon se vendi nuk po e përjeton për herë të parë këtë fenomen, duke risjellë në kujtesë studentët e dhjetorit të vitebve ’90 si dhe protestat e studentëve në vitin 2018.

„Ajo që po dëshmojmë sot është një brez i ri rebelësh që po futen në traditën e aktivizmit qytetar. Teksa Shqipëria vazhdon të përballet me emigracion të konsiderueshëm, veçanërisht midis të rinjve, numri i madh i paprecedentë i protestuesve tregon se po vërejmë një ndryshim të rëndësishëm. Të rinjtë që po nxisin “Revolucionin Flamingo”, tani po zgjedhin të ngrenë zërin, në vend të largimit. Në hulumtimin tim, unë përdor konceptin e “demokracisë protestuese” për ta shpjeguar këtë dhe mendoj se “Revolucioni Flamingo” është pikërisht në këtë model. Ideja është e thjeshtë. Në rajon, qytetarët vazhdimisht ndiejnë se institucionet përfaqësuese nuk i pasqyrojnë në mënyrë të mjaftueshme interesat e përbashkëta. Kur ndodh një ngjarje skandaloze, ata gjithnjë e më shumë drejtohen në veprime masive kolektive. Me pak fjalë: njerëzit i bëjnë zërat e tyre të dëgjohen edhe në rrugë, jo vetëm në qendrat e votimit. Pyetja tani është se “Ҫfarë do të bëjmë më pas? – argumenton Dinev.

Ҫfarë vjen më pas?

Në Bullgari, protestat e organizuara nga Gen Z në fundvitin e kaluar dhanë efekt brenda 3 javësh, me dorëheqjen e qeverisë. Në Serbi, studentët kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë por deri tani ende pa rezultat. Në Shqipëri gjithashtu thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Rama janë artikuluar që nga nisja e protestës, sëbashku me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke kërkuar ndëshkimin e të gjithë klasës politike të këtyre 36 viteve.

Megjithatë, për Dinev, parashikimi i rezultateve është gjithmonë i vështirë. Duke përmendur rastin e Bullgarisë, ai kujton se “valët e protestave në Bullgari në vitin 2020 çuan në disa “parti proteste”, ose suksesi zgjedhor i partisë Tisza në Hungari. Megjithatë, fuqia e lëvizjeve pa udhëheqës qëndron në aftësinë e tyre për të bashkuar njerëz të ndryshëm dhe për të parandaluar fushatat e shpifjes kundër aktivistëve”.

“Pyetja kryesore pas ditëve të demonstratave masive në rrugë nuk është vetëm nëse protestat janë mjaftueshëm të mëdha. Pyetja tjetër kryesore është nëse kjo energji e paparë mund të përkthehet në ndryshime të qëndrueshme politike. Historia tregon se momentet e një mobilizimi të tillë krijojnë mundësi, por këto mundësi rrallë mbeten të hapura për një kohë të gjatë. Prandaj, javët e ardhshme do të jenë vendimtare” – përfundon Dinev./DW/

Elona Elezi

 

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?