Rama: Shqipëria synon 1 miliard euro eksporte teknologjie deri në 2030, AI do të bëhet pjesë e administratës
Kryeministri Edi Rama bën me dije se qeveria synon të arrijë në 1 miliard euro eksporte të teknologjisë deri në vitin 2030, duke e konsideruar Inteligjencën Artificiale një mundësi të madhe për zhvillimin e vendit. Në Forumin e Inovacionit, Rama njoftoi se do të ngrihet një program kombëtar për aftësimin në Inteligjencën Artificiale, ndërsa përdorimi i saj do të bëhet i detyrueshëm në administratën publike. Ai theksoi gjithashtu nevojën për investime në infrastrukturën cloud, qendrat e të dhënave dhe sigurinë kibernetike. Kreu i qeverisë tha se do të rritet mbështetja për startup-et dhe se synohet zgjerimi i qendrave TUMO dhe laboratorëve inteligjentë në shkolla. Ai nënvizoi se kompanitë private duhet të orientohen më shumë drejt inovacionit dhe tregut privat, duke ulur varësinë nga kontratat me shtetin.
Fjala e plotë
Shumë faleminderit! Kujtoj që vitin e shkuar ne kemi organizuar edicionin e parë të këtij Forumi të Inovacionit dhe sot jemi në edicionin e dytë, në ndërkohë që gjërat në botën e teknologjisë së informacionit ndryshojnë me shpejtësi marramendëse dhe këtu faktikisht kemi në qendër të bisedave të ditës së sotme Inteligjencën Artificiale, për të cilën ne po përgatitemi për një program kombëtar, ku të gjithë do kenë mundësi të thonë fjalën e tyre dhe njëkohësisht të gjejnë vendin e tyre.
Gjithashtu ne jemi të vetëdijshëm se të gjitha temat e diskutimit si në asnjë fushë tjetër janë në një dinamikë të jashtëzakonshme, gjë që nga një anë është një bekim i madh për vende si yni sepse mund të bëjmë kapërcime të mëdha falë teknologjisë dhe nga ana tjetër, është një sinjal i vazhdueshëm alarmi sepse po ashtu mund të mbetemi shumë mbrapa nëse nuk ecim me ritmin e kësaj kohe të re. Janë tre elementë që duhet të mbajnë parasysh së bashku për këtë forum edhe për ndërveprimin mes nesh.
Së pari, problemet reale, që do të thotë zgjidhje të bazuara mbi një njohje të plotë dhe diagnozë sa më të saktë të situatës reale.
E dyta, propozime konkrete të zbatueshme, jo dëshira të përgjithshme dhe e treta, gatishmëri për t’u angazhuar të gjithë së bashku sepse këtë program gjithmonë e më shumë, jemi “të dënuar” ta ndjekim së bashku.
Disa të dhëna, që besoj janë me interes edhe për ata që na ndjekin, tregojnë se në çfarë dinamike të jashtëzakonshme është sektori. Sot ky sektor, sektori i teknologjisë eksporton 222 milionë euro produkte, tre herë më shumë sesa vetëm pak vite më parë.
Sot në këtë sektor janë aktivë thuajse 30.000 profesionistë të teknologjisë. Thuajse 30 000, për të qenë i saktë, 28 500, një shifër që ka ndryshuar edhe brenda për brenda këtij viti dhe 7 nga 10 protagonistë të këtij sektori, pra nga këta thuajse 30 000 profesionistë të angazhuar, janë nën moshën 35 vjeç.
Sot kemi një rritje pagash shumë domethënëse në këtë sektor dhe nga ana tjetër në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të Shqipërisë sektori ka një peshë tanimë të lexueshme, deri dje të papërfillshme, prej 2.2%. Duhet të jetë më e lartë pa diskutim, por është një shifër kuptimplotë për potencialin e vet.
Sot ne kemi po ashtu një fatmirësi sepse në platformën “e-Albania” kemi 3.4 milionë subjekte, qytetarë dhe biznese të regjistruar dhe në indeksin e shërbimeve online të Kombeve të Bashkuara renditemi në një pozicion që jo shumë vite më parë as nuk mund ta imagjinonim që do të ishte pozicioni i Shqipërisë. Më tutje dua të theksoj se është domosdoshmëri që ne tanimë të ngremë një strukturë publike “cloud-i’’ dhe një kapacitet kompjuterik kombëtar që të bëjë të mundur që të dhënat shtetërore të jenë të aksesueshme, në mënyrë të sigurtë qoftë për sipërmarrjen, qoftë për botën akademike.
Një katalog kombëtar të të dhënave të hapura me standarde ndërveprueshmërie është i domosdoshëm që shërbimet dhe platformat të ndërtohen gjithmonë e më shpejt, por edhe gjithmonë e më të saktë dhe ndërkohë kemi filluar të eksplorojmë mundësinë e ngritjes së data center-ave, por duhet ta them qysh në fillim që është shumë më komplekse kjo temë sesa ç’duket në pamje të parë.
Nga ana tjetër nëse sektori publik, qeveria shqiptare, institucionet kanë një avantazh të madh sot për shkak të progresit të madh që kemi bërë nga ana e sektorit publik, në sektorin privat jemi shumë mbrapa. Kemi vetëm 24% biznese që tregtojnë online. Është një shifër shumë e ulët. Kemi vetëm 9% sipërmarrje që përdorin Inteligjencë Artificiale dhe kundrejt mbi 90% të qytetarëve që kanë akses online, është një shifër shqetësuese.
Objektivi ynë për eksportet e teknologjisë është të shkojmë në 1 miliardë euro brenda kësaj dekade, 2030-s. Është e mundshme dhe për këtë arsye ne do vazhdojmë të fuqizojmë mbështetjen për start up-et. Më vjen shumë mirë që këtë vit kemi pasur një kapërcim të madh në aplikime, por kemi bërë dhe një dyfishim të fondit për mbështetjen e start up-eve. Ndërkohë që të njëjtën gjë duam të bëjmë vitin e ardhshëm në rast se do të paraqitet i njëjti trend nga ana e sektorit.
Më vjen keq për një lloj presioni gjobëvënës që u ushtrua ndaj një numri start up-esh nga portale të mirënjohura dhe famëkëqija për vendosje gjobash nën maskën e shtypit të lirë, por në këtë pikë nuk mund t’iu qaj hallin sepse në një farë mënyre më duket shumë pak ajo që hani ju në krahasim me atë që ha vetë. Kështu që adaptohuni dhe shkoni përpara. Këshilla ime është ‘’mos u merrni fare me to, as mos i lexoni’’. Shkruhen ekzaktësisht për t’ju shqetësuar dhe për t’ju bërë që të kërkoni kontaktin për të paguar gjobën, gjobën kriminale, por përndryshe s’kanë asnjë efekt tjetër. Më besoni për këtë.
Kemi në plan të bëjmë disa pilotime midis institucioneve shtetërore dhe kompanive private në sektorin e turizmit, të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të financës, në mënyrë që të nxisim inovacionin dhe të nxisim rritjen e përdorimit të teknologjisë në këta sektor kyç. Jemi në një proces pune shumë të dobishëm me Fondin Shqiptaro-Amerikan për të zgjeruar rrjetin e qendrave TUMO përtej Tiranës. Qendra e Tiranës është një sukses i jashtëzakonshëm, por ka dhe një ngarkesë jo të vogël, ndërkohë që talentet janë kudo dhe veçanërisht talentet e teknologjisë gjenden në zona me më pak mundësi, sepse më të rinjtë e shikojnë teknologjinë si një mundësi për të fluturuar përtej atyre situatave ku ndjehen të zënë si në kurth. Dhe shtrirja e këtyre qendrave do të jetë diçka shumë pozitive.
Ashtu sikundër do të jetë pozitive edhe shtrirja e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Tanimë po i afrohemi numrit 300 të laboratorëve inteligjentë, por synimi dhe financimi në dispozicion është për të mbuluar të gjitha shkollat me laboratorë inteligjent, gjë që pastaj ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek numri i fëmijëve që përgatiten për të hyrë dhe për t’u marrë me këtë sektor.
Sot, kemi po ashtu një trend shumë pozitiv rritjeje të qëndrueshme të studentëve që merren me teknologji. Janë 9000 aktualisht dhe për kënaqësinë time të madhe në këtë temë, numri i vajzave që merren me teknologji është nga më të lartat në Europë. Një dëshmi tjetër e atij fakti që unë e kam përqafuar prej kohësh që në Shqipëri vajzat dhe gratë janë shumë më të mençura se burrat dhe djemtë. Programi kombëtar për aftësimin në teknologjinë e inteligjencës artificiale do të hapet për individët dhe do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike.
Kemi filluar një proces integrimi të moduleve të inteligjencës artificiale me administratën publike në nivelin e parë, fillimisht me drejtoritë juridike dhe do të shtrihemi në të gjitha nivelet për t’i dhënë mundësi administratës që të ketë në dispozicion një asistencë jashtëzakonisht të kualifikuar përmes moduleve të inteligjencës artificiale. Ndërkohë që do shtojmë grantet për financimin nëpërmjet Fondit të Inovacionit për Kërkim të Aplikuar dhe Partneritete mes Universitetit dhe Industrisë, pikërisht aty ku sot kemi edhe vështirësinë dhe prapambetjen më të madhe.
Një tjetër aspekt domethënës i progresit të jashtëzakonshëm që kemi bërë në anën e sektorit publik dhe të institucioneve publike është ngritja e Shqipërisë në nivelin më të lartë të mbrojtjes kibernetike, gjë e nënvizuar dhe nga National Cyber Security Index 2026, ku Shqipëria rankohet në vendin e parë. Nuk ka asnjë çudi në këtë mes sepse ky është bekimi i teknologjisë. Të jep mundësinë të bësh kapërcime të cilat përndryshe në ecurinë e zhvillimit linear përpara se sa teknologjia të bënte këtë ndryshim themelor në jetën tonë do ishin jashtëzakonisht më të ngadalta dhe jashtëzakonisht më uniforme dhe praktikisht hendeqet do ishin të pakapërcyeshme.
Neve na u desh një sulm i egër mbi infrastrukturën tonë digjitale për të marrë masa për të investuar në mbrojtjen kibernetike dhe për të pasur sot një modul shumë të zhvilluar të mbrojtjes kibernetike dhe faktikisht Shqipëria është në sulm të përditshëm, të përditshëm, të përditshëm dhe juve nuk dëgjoni asgjë për këtë sepse të gjitha sulmet përplasen në murin tonë mbrojtës edhe nuk arrijnë dot ta penetrojnë infrastrukturën tonë publike për ato të saj ku ne kemi ngritur murin, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi vulnerabël në sektorin privat dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme që sektori privat të marrë masa më herët se vonë për t’u mbrojtur nga sulmet kibernetike përpara sa të gjendet në situatën që “Obobo, si e menduam ne që kjo nuk do na ndodhte”.
Aktualisht jemi në një rritje të vazhdueshme të numrit të aplikimeve në platformën e-Albania. Kemi mbi 40% rritje të aplikimeve vetëm në dy vitet e fundit. Në ndërkohë që jemi duke punuar intensivisht për të ndërtuar të parin sistem 360 gradë të prokurimit publik me inteligjencë artificiale dhe për të ri dizajnuar e-Albania-n dhe për të hyrë në gjeneratën e dytë të saj, e-Albania 2.0, me standarde të reja shërbimi dhe me një aksesueshmëri shumë më të lehtë. Të gjitha këto janë pjesë e një për procesi që vazhdon në mënyrë të përditshme. Diella tanimë është konsoliduar dhe ne po punojmë për të shtrirë modulin me fëmijët e Diellës edhe në zona të tjera të administrimit publik.
Në mbyllje dua të theksoj diçka për të gjithë sektorin. Pas eksperiencës negative që ne kaluam me AKSHI-n, për shkak të disa qasjeve jo në linjë me standardet ligjore dhe etike të disa kompanive dhe këtu unë nuk kam parasysh thjesht çfarë u shfaq në publik, por kam parasysh edhe diçka tjetër, standardet shumë të ulëta të kompanive private të mësuara që të mjelin buxhetin e shtetit me shërbimet e tyre në aspektin e ofrimit të mirëmbajtjes. Dhe nga ana tjetër ai sistem i cili natyrisht iu përgjigj një kohe të re transformimi dhe një transformimi që shkoi shumë përpara shumë shpejt, i ktheu faktikisht kompanitë private në gjahtarë të buxhetit të shtetit, në kuptimin jo të keq të fjalës, por në kuptimin e varësisë nga buxheti i shtetit dhe ne mendojmë që dhënia fund e kësaj varësie është edhe një kontribut për rritjen e kërkimit dhe të inovacionit në Shqipëri dhe si të thuash mbyllja e rrugës së asaj varësie do t’i kthejë shumë kompani me sy nga vetja dhe me sy nga sektori privat sepse u krijua një pozicion i pashëndetshëm i kompanive në raport me sektorin privat sepse gjëja më e lehtë u bë “merr ca lek nga shteti, bëj një shërbim këtu, merr ca lek nga shteti, lidh një kontratë atje” edhe kështu me radhë.
Dhe për këtë arsye ne kemi krijuar kompaninë tonë publike. Synimi është që të gjitha shërbimet publike të mbulohen nga kompania jonë publike, natyrisht hap pas hapi, nuk ka absolutisht asnjë vështirësi për ta bërë këtë dhe kështu faktikisht do fuqizojmë nga njëra anë kapacitetin “in house” të shtetit për sa i përket shërbimeve dhe për sa i përket moduleve të nevojshme për funksionet shtetërore me ndihmën e teknologjisë dhe do nxisim kompanitë private që të gjejnë rrugët e reja dhe të rriten dhe të fuqizohen duke bërë biznesin e tyre privat. Natyrisht që, kjo nuk përjashton që në proces ne të kemi bashkëpunime, që kompania publike të bëjë partneritete me kompani të caktuara private që mund të kenë zgjidhje të reja për sektorin publik, por zgjidhje të reja inovative, jo o burra tek kalendari i tenderave të buxhetit të shtetit. Kjo nuk bën më asnjë sens dhe besoj që është e qartë për të gjithë.
Ne do ta rrisim në mënyrë shumë të ndjeshme vit pas viti buxhetin për të mbështetur sektorin. Prandaj unë do t’i bëja thirrje kompanive të shikojnë pikërisht rrugët e gjetjes së kësaj mbështetjeje përmes bashkëpunimeve me biznesin, përmes bashkëpunimeve me universitetin dhe përmes inovacioneve që pastaj do të marrin edhe mbështetjen e shtetit për t’u zhvilluar më shumë brenda këtij ekosistemi.
Kjo do të kërkojë një rritje të ndjeshme të mbështetjes për start up-et dhe jo vetëm për start up-et dhe këtë gjë ne jemi absolutisht të gatshëm që ta bëjmë duke parë që tanimë ekosistemi ka filluar të krijojë një muskulaturë të vetën edhe pse të brishtë, por të gatshme për t’u ushqyer më shumë edhe për të marrë më shumë përsipër.
Shumë faleminderit dhe njëherë dhe uroj që gjithë këto tryeza që janë organizuar të jenë të frytshme dhe në fund të dalim me një sërë konkluzionesh që pastaj t’i ndjekim bashkërisht.
KOHA JONË SONDAZH

