Raporti i drogës: Shqipëria e lidhur me kultivimin e kanabisit
Shqipëria mbetet vend kryesor në prodhimin e kanabisit. Kjo mbështetet edhe në Raportin vjetor të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave. “Shqipëria është e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit”,-thuhet në Raportin Europian të Drogës.
Ky raport tregon hartën e vendeve ku kultivohet kanabis, por edhe vendet që e blejnë atë. “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.
Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit Afganistan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në një reagim mbi këtë raporton, Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, në një njoftim për shtyp thotë se “është thellësisht i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftën ndaj kultivimit të kanabisit.
“Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë”,-shton Ministria e Brendshme.


