Raporti/ Shqipëria prodhues dhe rrugë kryesore e trafikimit të kanabisit
2017 e gjen Shqipërinë vend prodhues të kanabisit dhe rrugë kryesore e trafikimit të lëndëve narkotike në Europë.
Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë në raportin e këtij viti shkruan se rrugët e trafikut të drogërave kanë ndryshuar me hyrjen e vendit tonë në tregun e trafikut dhe kultivimit të kanabisit.
Duke e cilësuar si vend jashtë Bashkimit Europian, raporti ngre shqetësimin për këtë fenomen, pasi vendi unë nuk ka qenë vitin e shkuar pjesë e këtij raporti.
“Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabisit ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raport.
Në hartat e publikuara nga raporti, shihet që Shqipëria ndodhet si në rrugën e trafikut të barit të kanabisit, ashtu dhe të vajit të kanabisit.
Raporti thekson se grupet shqiptare të krimit të organizuar vlerësohet se janë të përfshirë në tregtimin e vajit Afganistan të kanabisit, kryesisht në Europën Qendrore dhe Lindore përmes Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas raportit të Tregjeve të Drogave në Europë 2016, Shqipëria dhe Holanda duket të jenë nyjet kryesore të shpërndarjes për vajin afgan të kanabisit.
Raporti bazohet në informacionin që Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga merr nga shtetet anëtare të BE, shteti kandidat Turqia dhe Norvegjia.
Reagimi i Ministrit Demiraj: Do kontrollohet i gjithë territori shqiptar
Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj thotë se është i angazhuar për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Duke marrë shkas nga gjetjet e Raportit Vjetor Europian të Drogave të vitit 2017, publikuar gjatë ditës së sotme nga Qendra Europiane e Monitorimit të Drogave dhe Varësisë nga Droga, me seli në Lisbonë (EMCDDA). Në këtë raport Shqipëria përmendet në veçanti për rritjen e kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të narkotikëve në Europë.
“Ministri Demiraj ka filluar një komunikim intensiv jo vetëm me drejtuesit e Policisë, por edhe me drejtuesit e agjencive të tjera, si Drejtorin e Shërbimit Informativ, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Prokurorin e Krimeve të Rënda, për të pasur një reagim më të koordinuar për një luftë pa kompromis ndaj këtij fenomeni.
Kjo luftë do të shtrihet që nga kontrolli tërësor i territorit të Republikës së Shqipërisë deri tek shkatërrimi i grupeve kriminale që merren me trafikimin e lëndëve narkotike dhe të implikuarve nga radhët e punonjësve të Policisë” thuhet në njoftimin e ministrisë.

