Disa persona janë lënduar në Tiranë të Shqipërisë gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë, në protestën ku po kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe Qeverisë së tij. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë numri i të lënduarve në protestën në Tiranë është 19 persona. Në mesin e tyre janë edhe gjashtë policë dhe katër punonjës të mediave.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka kërkuar siguri për punonjësit e mediave që mbulojnë protestën, teksa kanë dënuar goditjen e gazetarit Lorin Kadiu nga Policia. “Sipas dëshmisë së Kadiut, ai është goditur nga Policia në këmbë me një bombolë gazi tosjellës nga një distancë prej rreth pesë metrash. Gazetari po fotografonte një qytetarë, që sipas tij, sapo ishte goditur në kokë nga një bombolë gazi. Vetëm pak sekonda më pas është qëlluar drejt tij”, tha Asociacioni, duke shtauar se Kadiu ka deklaruar se gjatë protestës mbante kartën e identifikimit të medias dhe kokoren me shënimin “Press”.
Më 28 nëntor, protesta nisi e qetë, por shumë shpejt u panë skena dhune, me protestuesit që hodhën mjete piroteknike e më pas molotovë dhe gurë drejt Policisë. Kjo e fundit u kundërpërgjigj me topa uji, plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në qendër të Tiranës, afër ndërtesës së ekzekutivit. Protestuesit janë parë edhe duke hedhur mjete piroteknike drejt selisë së Partisë Socialiste në pushtet.
Protesta e së shtunës po mbahet në ditën kur Shqipëria po feston 114-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Ceremonitë zyrtare për këtë festë janë mbajtur në Vlorë, ku ka pasur edhe protestë dhe ku disa persona është raportuar se janë shoqëruar në Polici. Rama ka refuzuar thirrjet për dorëheqje u disa herë i ka ftuar protestuesit për dialog, por ata kanë refuzuar. Protestat e udhëhequra nga studentët u nxitën për shkak të pakënaqësive me sistemin arsimor, mungesën e vendeve të punës dhe korrupsionin e perceptuar në qeverisje. Ato pasojnë protestat disamujore, që nisën në maj dhe që ishin kryesisht paqësore, kundër një projekti turistik luksoz në bregdet, që është lidhur me Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump.
Kërkesat e protestuesve
Kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Ramës dhe Qeverisë së tij. Protestuesit po ashtu distancohen nga opozita aktuale dhe kërkojnë largimin e klasës së vjetër politike. Katër kërkesat e tjera janë krijimi i një qeverie teknike, kalimtare dhe jopartiake, ndryshime kushtetuese që prekin edhe Kodin Zgjedhor, anulimi i disa ligjeve, përfshirë atë për zonat e mbrojtura, dhe hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit. Ndërkaq, vetëm dy ditë para protestës së 28 nëntorit, në Shqipëri u nxit një debat mes protestuesve lidhur me mënyrën se si lëvizja e tyre mund të përfaqësohet në zgjedhje, pas shpalljes së partisë “Të Bashkuar për Shqipërinë”.
Për themeluesit, një parti e re është mundësi për t’i dhënë protestës përfaqësim politik. Por, disa protestues shprehën drojë se krijimi i partive do ta përçajë lëvizjen dhe do ta dobësojë kauzën e përbashkët. Ata kanë propozuar që protestuesit të bashkohen rreth një kandidati për Tiranën në zgjedhjet lokale të 9 majit. Në prezantimin e nismës, përfaqësuesit e partisë thanë se ajo lindi nga bashkëpunimi mes studentëve dhe profesionistëve dhe se pjesëmarrja e të dyja grupeve ishte e nevojshme për themelimin e saj. “Ashtu si studentët nuk mund ta krijojnë të vetëm një parti, edhe intelektualët nuk mund ta bëjnë këtë pa pjesëmarrjen e studentëve”, thanë ata. Pas shpalljes së partisë reaguan Lëvizja Studentore Kombëtare dhe “Revolucioni Studentor”, dy grupime jopolitike dhe jopartiake që njihen për organizimin e protestave.
Lëvizja Studentore Kombëtare u distancua nga nisma, duke thënë se nuk kishte krijuar parti dhe se nuk e mbështeste. Ndërkaq, “Revolucioni Studentor” tha se i mirëpret nismat që synojnë ta fuqizojnë protestën. Sipas përfaqësuesve të tij, grupimi do të mbështesë vetëm nismat që burojnë nga vullneti i shprehur lirshëm i studentëve dhe që pasqyrojnë kërkesat dhe interesat e qytetarëve. Megjithatë, disa protestues kanë argumentuar se shpallja e partisë së re e zhvendos vëmendjen nga protesta e së shtunës.
“Gjithë fokusi, gjithë energjia duhej përqendruar te protesta dhe të mos kishte asnjë shpërqendrim. Më duket sikur një mund shumë i madh është çuar dëm, në njëfarë mënyre”, tha për Radion Evropa e Lirë, Anxhelo Tila, student i gazetarisë i cili ka protestuar tash e gjashtë muaj. Ndërkaq, protestuesi tjetër, Lorenco Sina, e cilësoi si “shterpë” debatin për krijimin e një partie në këtë moment. Sipas tij, nëse protestuesit shpërndahen në disa parti, lëvizja do ta ketë më të vështirë të veprojë e bashkuar dhe rrezikon të përsërisë mënyrën e organizimit të brezit të vjetër politik. “Po bëhet zhurmë për asgjë. Alternativa politike nuk është domosdo një parti e re politike. Duhet një frymë e re për ndryshim politik. Protesta duhet të dalë e përbashkuar, jo e përçarë mes disa partive. Krijimi i sa më shumë partive të reja është gabim strategjik dhe fatal”, tha Sina për REL-in. /REL/