Rrapo Ormeni: Kanë rënë mbi 300 tërmete, ja çfarë parashikohet
Edhe këtë të enjte, Tirana u zgjua nga lëkundjen e lehta të tërmetit. Sipas ekspertit në Institutin e Gjeoshkencave, Rrapo Ormeni, deri më tani janë regjistruar mbi 300 goditje tërmeti. Më tej ai thotë se rreziku i një tërmeti të fortë ka kaluar, pasi lëkundjet e tjera janë thjesht tërmete që shoqërojnë të parin me magnitudë më të madhe.
”Ky tërmet është një tërmet mesatar dhe tërmete të tilla me magnitudë mbi 5 janë tëmret që shoqërohen me pas goditje, kjo sepse në goditjen kryesore nuk çlirohet e gjithë energjia e akumuluar dhe do të kërkohet të çlirohet derisa të vendoset gjendja e ekuilibirt. Çlirimi i saj kryhet nëpërmjet tërmeteve të tjera më të vegjël. Dhe kështu ka ndodhur me rastin konkret të këtij tërmeti që deri tani janë regjistruar 350 goditje nga të cilat dy prej tyre janë me magnitudë më të mëdha se 4, njëra 4.2 dhe tjetra 4.3”,-tha Ormeni për ”Ora News”.
Nga ana tjetër, eksperti flet edhe për tërmetet e kësaj të enjte. ”Sot në mëngjes është regjistruar edhe një goditje me magnitudë 3.9. Duke u nisur nga pas goditjet, magnituda themi se kjo ka qenë goditja kryesore dhe këto janë pas goditje që vijnë duke u zvogëluar. Është e pamundur të parashikohet tërmeti, por nisur nga tipologjia e këtij tërmeti, ky është tërmeti kryesor dhe këto janë pasgoditje që duke gjykuar në këtë drejtim nuk ka tërmete të tjera”.

