”Sot u dha përgjigje”, Shabani mbetet Avokat i Popullit. Gjykata Kushtetuese: Procesi i rregullt. PD: Janë shtrembëruar faktet
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike që kundërshtojnë zgjedhjen e Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit. Sipas PD-së, procedura parlamentare për zgjedhjen e Avokatit të Popullit ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa ka ngritur çështjen e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërive të Shabanit me ushtrimin e këtij funksioni.
Një nga pretendimet kryesore të PD-së kundër procedurës për zgjedhjen e Endri Shabanit lidhej me tërheqjen e firmave të deputetëve opozitarë që kishin mbështetur kandidaturën e Shabanit. Kushtetuesja thotë se kushti i 28 firmave ishte plotësuar kur kandidatura u verifikua nga Komisioni i Ligjeve dhe kaloi për votim në seancë plenare. Sipas Gjykatës, tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund ta bllokonte procesin.
”Ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare”, thotë Kushtetuesja.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzon Gjykatën Kushtetuese se ka shtrembëruar faktet, duke kundërshtuar argumentin se tërheqja e mbështetjes për kandidaturat ka ndodhur pasi Komisioni i Ligjeve kishte përfunduar verifikimin e tyre. Sipas Bardhit, PD e tërhoqi mbështetjen më 5 dhjetor 2025, ndërsa verifikimi i kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve u bë më 9 dhjetor, katër ditë më vonë. ”Një gjykatë që deformon faktet, humbet besueshmërinë”, shprehet Bardhi.
Vetë Avokati i Popullit, Endrit Shabani thotë se e respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se ky vendim ka dhënë përgjigje për çështjet e ngritura mbi procedurën e zgjedhjes së tij. ‘‘Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës. Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes. Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Përplasja politike dhe institucionale nisi në fund të vitit të kaluar, pasi deputetët demokratë tërhoqën mbështetjen për kandidatët për Avokat të Popullit, përfshirë Endri Shabanin. Sipas PD-së, tërheqja e firmave duhej të merrte në konsideratë përpara se kandidatura të kalonte për votim në Kuvend. Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Shabani u zgjodh nga Kuvendi më 11 dhjetor 2025 me 85 vota pro, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.
Sa i përket kritereve të zgjedhjes, Gjykata vlerësoi se Kuvendi ka diskrecion në vlerësimin profesional të kandidatëve për funksione kushtetuese, për sa kohë respektohen garancitë themelore procedurale dhe nuk ka arbitraritet. Në rastin konkret, ajo nuk konstatoi cenim të këtyre garancive. Gjykata rrëzoi pretendimin për papajtueshmërinë për shkak të veprimtarisë politike të kandidatit, duke e cilësuar këtë pretendim të pabazuar. Po ashtu, u rrëzua pretendimi se zgjedhja ishte e pavlefshme për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit.
Sipas Gjykatës, kushti i mbështetjes nga 28 deputetë ishte plotësuar në fazën e verifikimit të kandidaturave nga Komisioni i Ligjeve dhe tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk prodhonte më pasoja në procedurën parlamentare. Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës, ndërsa vendimi i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore.
Lexoni edhe:




