Salmonela, zbulohet shkaku i helmimit të 100 qytetarëve në Peshkopi
Mikrobi i Salmonelës është zbuluar të jetë shkaku i vërtetë i helmimit të gati 100 banorëve në Peshkopi. Zv/ ministrja e Shëndetësisë e gjetur pranë pacientëve deklaron se po punohet për të parë se nga është marrë ky mikrob ndërsa siguroi se pacientët ndodhen në gjëndje të mirë shëndetësore.
Mira Rakacolli: “Shkaku i këtij infeksioni është salmonela. Sot numri i të sëmurëve është shumë më i ulët se ditët e tjera.
Sipas dinamikës së ngjarjes rezulton se shumica e pacientëve kanë rezultuar se kanë qenë pjesëtarë të së njëjtës familje që kanë konsumuar ëmbëlsira nga e njëjta pasticieri, e cila gjatë një kontrolli rutinë një javë më parë ka rezultuar pa probleme.
Mira Rakacolli: “Lokali është kontrolluar një javë më parë dhe ka qenë sipas të gjitha parametrave. Edhe analiza e mostrave të ujit të pijshëm dhe depozitës kanë dalë të pakontaminuara”
Gjithsesi priten rezultatet e analizave nga Instituti i Shëndetit Publik për të gjetur nga e kanë marrë virusin e salmonelës pacientët që janë paraqitur në spitalin e Peshkopisë nga e hëna e kësaj jave.

