Sejko: Besueshmëria e bankave qendrore kyçe për stabilitetin, Shqipëria vijon përafrimin me BE-në
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka vënë theksin te rëndësia e besueshmërisë së bankave qendrore dhe politikave të qëndrueshme monetare, gjatë pjesëmarrjes në konferencën e organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të saj.
Në aktivitetin ku morën pjesë drejtues dhe ekspertë të bankave qendrore të rajonit, Sejko foli për sfidat që lidhen me ruajtjen e stabilitetit monetar, forcimin e institucioneve dhe procesin e integrimit evropian.
Sipas guvernatorit, besueshmëria e bankave qendrore është një prej faktorëve kryesorë për ankorimin e pritjeve të publikut dhe zbatimin efektiv të politikës monetare.
“Besueshmëria e bankave qendrore është një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe zbatimin sa më efektiv të politikës monetare”, u shpreh Sejko.
Ai theksoi se përvoja e viteve të fundit ka dëshmuar rëndësinë e ruajtjes së besimit të publikut dhe stabilitetit makroekonomik. Për Sejkon, ky besim ndërtohet përmes institucioneve të forta, politikave të qëndrueshme dhe komunikimit transparent me qytetarët.
Duke iu referuar Shqipërisë, Guvernatori veçoi regjimin e shënjestrimit të inflacionit dhe kursin fleksibël të këmbimit si dy prej shtyllave të kuadrit të politikës monetare. Ai përmendi gjithashtu reformat e ndërmarra për forcimin e sistemit financiar dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte integrimi në Bashkimin Evropian. Sejko nënvizoi se përafrimi me standardet evropiane duhet të shoqërohet me ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar.
“Integrimi evropian dhe përmbushja e mandateve të bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar plotësojnë njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Në këtë drejtim, Sejko përmendi edhe anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, si dhe zbatimin e platformës “TIPS Clone”, e cila pritet të implementohet deri në fund të vitit. Sipas tij, funksionimi i sistemit të pagesave të shpejta do të mundësojë reduktimin e kostove dhe kursimin e kohës për individët dhe bizneset shqiptare.
Gjatë vizitës në Malin e Zi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë zhvilloi edhe një takim me Drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Mateusz Szczurek. Diskutimet u përqendruan te zhvillimet ekonomike dhe financiare në rajon, procesi i integrimit evropian dhe sfidat që shoqërojnë këtë rrugëtim.
Sejko zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe drejtues të bankave të tjera qendrore të rajonit, ku në fokus ishin zhvillimet ekonomike, bashkëpunimi institucional dhe forcimi i stabilitetit financiar.
KOHA JONË SONDAZH

