Shantazh mijëra euro djalit të ish-deputetit, pranga kërcënuesit

Një nga pesë personat e dënuar për gjobëvënien ndaj djalit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ibrahim Bruka, është arrestuar dje nga Policia. Ai ishte në kërkim bashkë me një tjetër bashkëpunëtor, që ende nuk është arrestuar, edhe pse tashmë janë shpallur fajtorë e dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

I arrestuari është Fatmir Gjeta, 30 vjeç, i cili është ndaluar nga shërbimet e Komisariatit nr.6, në afërsi të Vorës. Vendimi i fajësisë për të dhe 4 shokët është dhënë më 15 mars të këtij viti nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Ata u shpallën fajtorë, pasi u akuzuan se i kanë zhvatur një total prej 26 mijë eurosh të birit të kirurgut Ibrahim Bruka, ish-deputet i PD, pasi e kërcënonin me publikimin e një fotoje ku i mituri tymoste një cigare kanabis.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Gjobat” janë vjelë në shuma që varionin nga 2500 deri në 5000 euro gjatë 12 episodeve të ndryshme, të regjistruara në harkun kohor janar-prill 2016. Referuar vendimit të Gjykatës, Rogers Ademaj, Fatmir Gjeta, Ilir Shehu dhe Luan Lama u fajësuan për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, ndërsa Shkëlqim Spahiu për “moskallëzim krimi”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Procesi gjyqësor ndaj tyre u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar, si rezultat i të cilit ata përfituan edhe uljen e një të tretës së masës së dënimit. Referuar dosjes së Prokurorisë për Krimet e Rënda, procedimi penal ndaj pesë të akuzuarve të kësaj dosjeje nisi në prill 2016, pas një kallëzimi të E. Brukës, djalit 17-vjeçar të ish-deputetit Ibrahim Bruka.

Para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ai ka rrëfyer se një grup personash, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, që prej muajit janar 2016 i kanë marrë përmes dhunës psikologjike sasi të ndryshme eurosh.

Ai ka deklaruar se në janar të vitit 2016 është njohur me Rogers Ademajn, i cili ka shkuar në shtëpinë e tij për një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale, duke qenë se i ati i tij ishte kirurg.

Të nesërmen, rreth darkës, në adresën që i dëmtuari ka në rrjetin social “Facebook” i ka ardhur një mesazh nga Ilir Shehu, që përdorte profilin me emër “Liri Shehu” dhe i kërkoheshin urgjentisht 2500 euro. Në këtë mënyrë kanë nisur gjobat, duke përdorur si kërcënim një fotografi të tij ku ai shfaqej duke tymosur hashash./Panorama/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?