Skandal, vendimi i MSH që klinikat private “fshehin” abortet
Pas vitit 2014 ka një mungesë totale informacioni në lidhje me të dhënat e sakta për numrin e aborteve, ndërkohë që kjo situatë është krijuar si pasojë e një vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i vitit 2013 për të deleguar abortet drejt materniteteve shtetërore”. Shqetësimi u ngrit nga UNFPA dhe organizata “Infinit Plus”, gjatë një tryeze ku të pranishëm ishin zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe gazetarë të fushës.
Gjatë prezantimit theksi u vu te fakti se ky vendim ka sjellë një nënraportim të rasteve të aborteve nga klinikat private. “Evitimi i këtyre klinikave erdhi në atë kohë si pasojë e një sërë ngjarjesh me humbje jete pas abortit. Por, kjo dukshëm nuk ka ndodhur, pasi sipas raportimeve, vetëm 10% e aborteve janë bërë në sektorin privat. Kjo tregon se ka fshehje të të dhënave nga klinikat private edhe si kërkesë e adoleshentëve apo familjeve të tyre për të ruajtur anonimatin. Ndaj të miturat japin moshë dhe emër të ndryshëm kur regjistrohen në klinika”,-vlerëson UNFPA.
I pyetur në lidhje me këtë situatë, zëvendësministri Rjepaj pranoi se vendimi i atëhershëm ishte një masë e nxituar dhe nuk u mor në bashkërendim me institucionet e tjera, që do të mundësonin zbatimin e tij. “Marrja e këtij vendimi erdhi në të njëjtën kohë me krijimin e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Praktikisht ISHSH është një institucion i ri dhe nuk i ka kapacitetet e nevojshme për të ushtruar kontrolle, por edhe përvojën e njohuritë e duhura për ta bërë këtë”,-shtoi Rjepaj.
Kontraceptivët
Ndërkaq, gjatë takimit theksi u vu edhe te përdorimi i ulët i metodave të kontracepsionit, si një mënyrë për të shmangur shtatzënitë e padëshirueshme, që më pas detyrojnë shumë gra e vajza të shkojnë drejt abortit. “Vetëm 10.6% e grave të martuara kanë përdorur një metodë moderne kontraceptive, kundrejt 58.7% që kanë përdorur një metodë tradicionale. Kjo shifër nënkupton një rritje të vogël të shkallës mbizotëruese të kontraceptivëve modernë me 8% në krahasim me vitin 2002”,-vlerëson UNFPA.
Nga ana tjetër, kjo organizatë thekson se aksesi i adoleshentëve në metoda moderne kontraceptive nga sektori publik paraqet vështirësi, sepse ky grup nuk i frekuenton këto shërbime për arsye se ato ofrohen nga klinika dhe maternitete dhe akoma më pak në qendrat shëndetësore në zonat rurale.
Sa i takon planifikimit familjar rezulton se në rajonin europian nevojat e paplotësuara luhaten nga 5-23%, ndërsa në Shqipëri, 13% e femrave të martuara kanë një nevojë të paplotësuar për planifikim familjar, 3% për distancim të lindjeve dhe 9% për kufizim të lindjeve./GSH/

