Skllevër shqiptarë të trafikuar, ruajnë fabrikat me kanabis
“Skllavi” shqiptar i trafikuar nga Europa në Cheltenham të Britanisë. Kështu i referohen mediat britanike një 45-vjeçari shqiptar, i cili u arrestua më 4 shkurt pasi u kap në një fabrikë kanabisi. Bëhet fjalë për Bashkim Hajdarin, i cili akuzohet për prodhim kanabisi në dy shtëpi në Cheltenham. Të mërkurën ai doli para gjykatës dhe mohoi akuzat por avokati mbrojtës i tij tha se gjatë pyetjeve në polici e kishte pranuar se ishte përfshirë në prodhimin e drogës së klasit B. Tani Hajdari po mbahet në paraburgim.
Një burrë në Belgjikë e kishte dërguar shqiptarin në adresën ku u kap. Ai i tha 45-vjeçarit që të kujdesej për bimët e kanabisit dhe për këtë nuk ka marrë asnjë pagesë. Besohet se Hajdari ka punuar aty që prej nëntorit të 2018-s. Nuk dihet se si Bashkim Hajdari ka hyrë në territorin e Britanisë pasi atij nuk i është gjetur asnjë lloj dokumenti. Detaje të reja mbi të pritet të dalin në seancën e radhës gjyqësore që do të mbahet më 13 shkurt.
Bashkim Hajdari u arrestua gjatë një aksioni të policisë britanike të hënën. Ai kujdesej për dy fabrika kanabisi të vendosura në dy shtëpi të ndryshme në të njëjtën rrugë. Gjithsej, autoritetet zbuluan 350 rrënjë kanabisi, 208 në një shtëpi dhe 152 në një tjetër. Mendohet se vlera e drogës në treg shkon në 300.000 paund.
Brenda ndërtesës oficerët gjetën tre dhoma të mëdha me bimë kanabisi, në faza të ndryshme të rritjes. Lënda nartotike rritej në saj të një teknoligjie të larë ku kishte shumë ndriçim. Ndërsa banesa ishte shumë luksoze dhe personi që merrej me kujdesin për lëndën narkotike i kishte të gjitha kushtet. Kishte një shtrat, lavatriçe, furrë, frigorifer dhe një tharëse rrobash. ”Është një fabrikë e madhe. Dikush ka bërë një investim të rëndësishëm këtu. Ka dhjetëra mijëra paundë pajisjeve dhe qiraja e banesën është e lartë. Ne jemi të kënaqur që kemi bërë një arrestim, pasi hetimi ynë tani mund të shkojë më tej. Shpesh në raste të tilla, nuk ka njeri në ambientetet kur policia bastis”.

