Tatimet paralajmërojnë biznesin. Kush ka ulur vlerën e kuponëve do të kontrollohet
Administrata tatimore njoftoi se do të kontrollojë të gjitha bizneset të cilat kanë ulur numrin apo vlerën e kuponëve të lëshuar. Përmes një njoftimi zyrtar të botuar në faqen e saj të internetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se shumë biznes e kanë ulur ndjeshëm numrin e kuponëve të lëshuar.
“Nga analiza dhe monitorimi i sistemit elektronik janë evidentuar tatimpaguesit, të cilët ndjeshëm kanë ulur numrin e kuponëve të lëshuar, vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi për verifikim në vend nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor,”- thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues. Çdo kupon i lëshuar nga biznesi transmetohet në kohë reale, në serverin qendror të Tatimeve. Kjo i mundëson administratës tatimorë të monitorojë në çdo xhiron e çdo biznesi.
Ndaj Tatimet paralajmërojnë bizneset të tregojnë kujdes, pasi në çdo rast që do të konstatohet se një biznes ka ulur numrin apo vlerën e kuponëve të lëshuar ai do të klasifikohet me risk.
” Në çdo rast ku do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr. 9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit administrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore,”- vijojnë Tatimet.
Kjo do të thotë se ndaj bizneseve që kanë ulur xhiron e deklaruar inspektorët tatimorë mund të kryejnë vlerësim nga zyra, i cili e ngarkon biznesin me një barrë më të rëndë tatimore nga sa duhet të paguajë realisht.

