Të dielën kushtuar Jezusit, Papa Françesku: Vlera jonë nuk varet nga suksesi, por nga bukuria në sytë e Zotit

Të dielën kushtuar Jezusit, Bariut të Mirë, në lutjen e Mbretëeshës Qiellore Françesku u ndalua tek kuptimi i shprehjes “të japësh jetën” për delet tuaja. Papa kujtoi se për Krishtin të gjithë janë të pazëvendësueshëm dhe se kjo nuk thuhet vetëm për të larë gojën! “Sa herë humbasim vetveten për gjëra fare të vogla!”, vërejti Papa, për të na ftuar, më pas, të rrimë në praninë e Jezusit, të mirëpritur prej Tij.

R.SH. / Vatikan

Në të Dielën, kur Kisha kremton Ditën e Lutjes për Thirrjet e Shenjta, Papa, gjatë Mbretëreshës Qiellore, i ftoi besimtarët t’i kërkojnë Zotit t’i shtojë thirrjet për jetën e kushtuar, e edhe për martesën e krishterë. Është e Diela e Bariut të Mirë. E Bariu i Mirë është Jezusi, sepse dhuroi jetën për ne.

Kështu, Papa Françesku në këtë të diel, e katërta e kohës së Pashkëve, ia kushton lutjen e Mbretëreshës Qiellore, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, Jezusit, Bariut të Mirë (Gjn 10, 11-18 e, duke komentuar pjesën ungjillore, e cila na rikujton se Zoti Jezu Krisht jep jetën për delet e veta (vv. 11.15.17). Në kohën pas solemnitetit të Ngjalljes së Krishtit Zot, sot, kjo e diel e katërt e Pashkëve, i kushtohet Jezusit, Bariut të Mirë. Bariut, që nuk i prin grigjës me shkop në dorë, që nuk i gjuan me gurë delet të cilat largohen prej Tij, sepse nuk do ta detyrojë asnjërën ta ndjekë në kullotat e tij, ngaqë dëshiron të hyjë në jetën e çdo deleje në majë të gishtave ndaj, para se të hyjë në vathë, troket në portë!

Bariu i mirë jep jetën përdelet

Në Ungjillin e sotëm (shih Gjoni 10,11-18) – shpjegoi Papa – ai na kujton se: “Bariu i mirë jep jetën e tij për delet” (v. 11) dhe këmbëngul në këtë aspekt, aq sa e përsërit tri herë (shih vargjet 11.15 .17). Më pas na pyet: “Po në çfarë kuptimi bariu jep jetën për delet?”. E edhe na përgjigjet sakaq.

Të ishe bari në kohë të Krishtit …

Të jesh bari – shpjegoi Papa – e sidomos në kohën e Krishtit – nuk ishte thjesht punë, por jetë: nuk ishte çështje të kishe një punë të përkohshme, por të ndaje të gjitha ditët, madje edhe netët, me delet, të jetoje në simbiozë me ta. E Jezusi shpjegon se ai nuk është mercenar, që nuk i bëhet vonë për delet (shih v. 13), por është bariu, që i njeh një për një delet (krh v. 13) 14), domethënë, ne!

Ai, që na thërret me emër, na dha Shpirtin…

Ai na njeh, na thërret me emër dhe, kur humbasim, na kërkon derisa të na gjejë (shih Luka 15:4-5). Më shumë akoma:

“Jezusi nuk është thjesht bariu i mirë që jeton me jetën e grigjës; është Bariu i Mirë që flijoi jetën për ne dhe, i ngjallur, na dha Shpirtin e tij. Këtë dëshiron të na thotë Zoti me shëmbëlltyrën e Bariut të Mirë: jo vetëm është udhërrëfyesi, kreu i tufës, por mbi të gjitha, e konsideron secilin prej nesh si dashuri e jetës së tij”.

Kush jam unë për Krishtin?

Prej këndej, pyetja: “Kush jam unë për Krishtin?”. Të mendojmë për këtë: për Krishtin a jam i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm, a vlej sa çmimi i pafundmë i jetës së tij? Nuk është fjalë për t’u thënë: Ai e dha vërtet jetën për mua, vdiq dhe u ringjall për mua, sepse më do dhe gjen tek unë një bukuri, që shpesh nuk e shoh. Vëllezër dhe motra, sa njerëz sot e konsiderojnë veten të kotë apo edhe të gabuar!

Vlera jonë matet me dashurinë e Krishtit

Sa herë mendojmë se vlera jonë varet nga synimet që arrijmë, nga suksesi ynë në sytë e botës, nga gjykimet e të tjerëve! Sa herë përfundojmë duke e hedhur veten në pleh për gjëra të vogla!

Sot Jezusi na thotë se ne vlejmë gjithnjë shumë për Të:

“E atëhere, për ta rigjetur vetevten, gjëja e parë që duhet të bëjmë është të rrimë në praninë e tij, të jemi të mirëpritur dhe të lartuar nga krahët e dashur të Bariut tonë të Mirë”.

Një pyetje e një thirrje

Pra, le të pyesim veten – ftoi si zakonisht Papa në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore –  a di të gjej çdo ditë një çast për ta përqafuar sigurinë, që i jep vlerë jetës sime? Një çast lutjeje, adhurimi, lavdërimi, që  të jem në praninë e Krishtit dhe ta lë të më përkëdhelë?

Kur dikush hyn në harmoni me “dridhjen e dashurisë” supreme dhe të përjetshme, nga e cila burojnë të gjitha gjërat (Gjn1, 1-4), ai e ndjen veten i njohur dhe i dashur përgjithmonë. Tërhiqet kështu, në mënyrë të parezistueshme, për ta ndjekur Zotin në kullotat e tij dhe në vathën e tij shenjte.

“Vëlla, motër, nëse e bën këtë, do të rizbulosh sekretin e jetës: do të kujtosh se Bariu i Mirë dha jetën për ty dhe se për të je vërtet i rëndësishëm, vërtet i pazëvendësueshëm”:

“Na ndihmoftë Zoja të gjejmë te Jezusi atë që është themelore për jetën!”.

SHKARKO APP