Tortat helmuese, banorët: U zgjuam të zverdhur, me të vjella dhe…

Procedohet penalisht pronari i pastiçerisë në Peshkopi, i cili dyshohet se ka shitur ëmbëlsira jashtë kushteve higjienosanitare, duke shkaktuar helmimin masiv të 150 qytetarëve. Pas hetimit të kryer në lidhje me këtë ngjarje, e cila u raportua fillimisht nga spitali i qytetit, Policia bëri të ditur se po procedohet në gjendje të lirë pronari 39-vjeçar, shtetasi me inicialet G.S.

Ai dyshohet se është bërë shkaktar i helmimit të banorëve, duke ua shitur tortat jashtë kushteve e standardeve që kërkon ky produkt ushqimor.

“Kemi referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprën penale ‘prodhim dhe shitje e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin’, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal në gjendje të lirë, në ngarkim të shtetasit, G.S, 39 vjeç, banues në Peshkopi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky procedim penal ndaj tij filloi pasi ky shtetas dyshohet se duke pasur një aktivitet ‘Pastiçeri’ në qytetin e Peshkopisë, ka shitur ëmbëlsira, torta, jashtë kushteve dhe standardeve që kërkon ky produkt ushqimor, ku për pasojë persona të grupmoshave të ndryshme nga bashkia Dibër janë helmuar dhe po trajtohen në Spitalin Rajonal Peshkopi, aktualisht jashtë rrezikut për jetën”, thuhej në njoftimin e dhënë dje nga Policia e Dibrës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkaq, drejtori i spitalit, Beqir Biçi, u shpreh dje se situata është në përmirësim dhe se aktualisht në spital janë edhe 10 persona. Mësohet se pacientët që kanë mbetur në spital janë paraqitur në gjendje më të rëndë, me të vjella, diarre, temperaturë e këputje trupore. “Gjendja e pacientëve po shkon drejt përmirësimit. Aktualisht nuk ka fluks të sëmurësh. Edhe pacientët e shtruar janë drejt përmirësimit”, theksoi drejtori Biçi.

Ai shtoi se Autoriteti i Kontrollit të Ushqimit nuk ka përcaktuar ende shkaqet e helmimit të më shumë se 150 personave. Por policia paraprakisht ka hedhur dyshime se shkak është bërë mungesa e standardeve dhe kushteve higjieno-sanitare në pastiçerinë ku rezulton të kenë blerë ëmbëlsira të gjithë personat e prekur nga helmimi.

“Tortën e blemë në një pastiçeri në dalje të qytetit. Edhe herë të tjera aty i kemi blerë ëmbëlsirat. Është muaj Ramazani dhe blejmë ëmbëlsira për fëmijët e të moshuarit që agjërojnë. Dje, në mëngjes, pjesëtarët e familjes u zgjuan të zverdhur, me të vjella dhe të këputur. I sollëm në spital. Tani janë më mirë, por kemi ende frikë”, tha një banore e fshatit Melan për grupin hetimor dy ditë më parë, teksa u paraqit me urgjencë për ndihmë mjekësore./Panorama/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?