Totozani i rekomandon kryebashkiakëve zbatimin e detyrimeve për vendosjen e posterave
Avokati i Popullit, Igli Totozani, i ka dërguar një rekomandim kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin, lidhur me zbatimin me korrektesë të detyrimeve për vendosjen e materialeve propagandistike gjatë procesit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë.
Përmes këtij dokumenti Avokati i Popullit u rekomandon kryebashkiakëve:
-Marrjen e masave të nevojshme tekniko – organizative me qëllim zbatimin me korrektesë të detyrave ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe Udhëzimet e KQZ-së nga strukturat e pushtetit vendor lidhur me vendosjen e materialeve propagandistike gjatë procesit të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë.
-Monitorimin e vazhdueshëm të hapësirave publike të miratuara për vendosjen e materialeve propagandistike zgjedhore me qëllim të shmangies së situatave të cenimit të hapësirave të miratuara dhe garantimin e një mjedisi për zgjedhje sa më të ndershme dhe të lira.
Në këtë rekomandim drejtuar kryetarëve të bashkive, Avokati i Popullit shprehet:
“Lidhur me përmbushjen e detyrimeve ligjore që burojnë nga neni 79 i Kodi Zgjedhor në bazë të të cilit, autoritetet lokale duhet të caktojnë hapësira publike për vendosjen e posterave politikë dhe të njoftojnë për këtë subjektet zgjedhore përkatëse. Në shumë raste, subjektet politike nuk janë informuar për hapësirat që u janë caktuar, apo kanë cenuar hapësirat e tjera publike, duke shkaktuar probleme në disa raste, të referuara tashmë në raportet e organizatave ndërkombëtare që janë angazhuar në monitorimin e proceseve zgjedhore në Shqipëri.

