Tropoja çel sezonin turistik në 20-vjetorin e eksodit kosovar, nderon heronjtë e UÇK-së
Bashkia e Bajram Currit zgjodhi të çelë sezonin turistik në një datë të veçantë për zonën, 20 vjetorit të eksodit kosovar në Tropojë.
Me këtë rast u nderuan me titullin Qytetar Nderi (pas vdekjes) heronjtë e luftës së Kosovës, Tahir Sinani, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Bylbyl Breçani, si dhe luftëtarët e komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, Rrustem Berisha, Hisen Berisha.
Gjithashtu për kontributin e dhënë në pritjen e vëllezërve nga Kosova gjatë viteve 1998-1999 u nderuan me Mirënjohje nga bashkia e Tropojës, z.Sadri Isufaj, ish-kryetar i bashkisë B.Curri, z.Isa Memia, ish-kryetar i komunës Tropojë dhe Zenel Kuçana ish-komandant i brigadës së këmbësorisë.
Pas këtij aktiviteti, në sheshin qëndror të qytetit kulmoi festa me këngë, valle, lojëra popullore, si dhe një panair ushqimor me prodhime tradicionale të Tropojës.






