U akuzua se fshehu dënimin, deputeti i PS nxjerr provën
Deputeti i PS-së, Vladimir Kosta ka reaguar pas akuzave se ai ka fshehur një dënim në formularin e vetdeklarimit, akuzë për të cilën Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar KQZ-së edhe heqjen e mandatit për deputetin e Partisë Socialiste, Vladimir Kosta.
Nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, Kosta publikon një pjesë të dokumentit ku ai e ka deklaruar gjobën në vitin 2000, për të cilën ishte akuzuar se e kishte fshehur. Kosta thotë se e kishte harruar këtë gjobë dhe se pas konstatimit e ka deklaruar.

REAGIMI
Keqardhje për përdorimin politik të institucioneve. Jam njohur sot nga media me një kërkesë që Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë KQZ për mandatin tim. Nuk dua të bëj
komente mbi punën e institucioneve ligjzbatuese, por nuk mund të lejoj të më përdhoset emri dhe imazhi im.
Rasti im është i njëjtë me atë të 19 deputetëve të tjerë që bënë shtesa në formularin e dekriminalizimit, pasi kishte kaluar afati ligjor. Në rastin tim kisha harruar një gjobë 10.000 lekë të marrë në vitin 2000. Ishte një gabim njerëzor dhe jo fshehje të dhënash.
Më pas është çdo gjë e deklaruar. KQZ e mori një herë në shqyrtim formularin
tim dhe nuk konstatoi shkelje. Nuk e kuptoj ku do të dalë Prokuroria me këto flluska sapuni. Shtesa në formular bënë edhe mjaft deputetë të tjerë dhe nuk pati asnjë kërkesë të tillë. Po për Sali Berishën etj, pse nuk kërkojnë heqje mandati? Do ju kërkoja dhe mediave të ishin të kujdesshme kur shkruajnë se unë kam “fshehur” të dhënat në formular. Po postoj një kopje të dokumentit zyrtar që kam dorëzuar për tu treguar se Prokuroria ose nuk di ose nuk ka dashur ta lexojë.
KËRKESA
Prokuroria e përgjithshme e ka dorëzuar dje kërkesën për heqjen e mandatit të Kostës në në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Sipas organit të akuzës, deputeti nuk ka deklaruar një dënim dhënë nga Gjykatat e Tiranës, që mban datën 19 prill 2000. Referuar këtij dënimi, Vladimir Kosta është dënuar me gjobë 100 mijë lekë të vjetra për armëmbajtje pa leje.
Kujtojmë se emri i Vladimir Kostës ishte në listën me 13 deputetë dhe 8 kryetare bashkish që iu dërgua KQZ-së për verifikim në mars të këtij viti në kuadër të dekriminalizimit, por në atë kohë u vendos të mos i hiqej mandati.

