U përfshi në fushatë zgjedhore, Ministri teknik pezullon drejtorin e burgut në Tropojë

Tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin nga punonjësit e administratës shtetërore”. Kështu e nis deklaratën për shtyp ministria e Drejtësisë, duke ‘prerë një kokë’ të administratës së burgjeve që sipas tyre është përfshirë në fushatë.

Ministri i ri i Drejtësisë z. Gazment Bardhi, pezulloi sot nga detyra Drejtorin e Instituti i Edukimit të Veprave Penale në Tropojë, Granit Kurmekaj, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë së Përgjithshme, për veprën penale të përfshirjes në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Siç bën të ditur ministria e Drejtesisë, kjo masë, erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të marra nëpërmjet fotove dhe videove, ku konstatohet përfshirja e Kurmekaj, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Granit Kurmekaj, me detyrë Drejtor i IEVP Tropojë, ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 328/a të Kodit Penal.

Swiss Digital Mobile Reklama

Deri në sqarimin e rrethanave mbi këtë çështje, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar menjëherë pezullimin e përkohshëm nga detyra të Drejtorit të IEVP Tropojë.

Më tej, deklarata thekson se, Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në portalin elektronik në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve.

Z. Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo angazhim politik në kundërshtim me ligjin të punonjësve të administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?