FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Vdekja e Mehmet Shehut, dokumenta sekrete nga Arkivat e Britanisë së Madhe: Ai ishte njeri i anglezëve kundër Enver Hoxhës

Jon Halliday është një historian dhe autor irlandez, i lindur në Dublin në vitin 1939. Ai është i njohur për studimet e tij mbi Azinë moderne dhe regjimet komuniste, si edhe për veprën Mao: The Unknown Story, të cilën e shkroi së bashku me Jung Chang.

Në studimet ballkanike, Halliday njihet edhe për redaktimin dhe analizën e kujtimeve të Enver Hoxhës në The Artful Albanian: The Memoirs of Enver Hoxha. Ai ka shkruar gjithashtu analiza investigative për London Review of Books, përfshirë edhe shkrimin The Strange Death of Mehmet Shehu, ku trajton rrethanat e vdekjes së Mehmet Shehut dhe pyetjen nëse bëhej fjalë për vetëvrasje apo vrasje të organizuar.

Vdekja e misterioze e Mehmet Shehut

Swiss Digital Desktop Reklama

Botuar në: LONDON REVIEW OF BOOKS, Vol. 8 Nr. 17 · 9 tetor 1986

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga Jon Halliday

Në foto: Autori i shkrimit

PERKTHEU: NDREK GJINI – GALWAY, IRELAND

Më 18 dhjetor 1981, Radio Tirana njoftoi se kryeministri më jetëgjatë në detyrë i Shqipërisë, Mehmet Shehu, kishte kryer vetëvrasje një natë më parë “pas një momenti të një  krize të rëndë nervore”.

Megjithëse vetëvrasja në përgjithësi shihej me përbuzje në vendet komuniste – ku, në fund të fundit, kush mund të dëshironte të largohej nga parajsa? – radioja iu referua Shehut si “shoku” dhe i dha atij të gjitha titujt e tij të plotë ritualë.

Gati një vit më vonë, udhëheqësi suprem i Shqipërisë, Enver Hoxha, pretendoi se Shehu kishte qenë një  poliagjent i huaj: i Gestapos, i SIM-it (shërbimi sekret italian), i Jugosllavisë, i KGB-së, i SHBA-së – dhe i Britanisë.

Këto akuza u pritën gjerësisht me përqeshje si një pjellë e paranojës së Hoxhës. Besueshmëria e akuzave të tij nuk u përforcua aspak nga fakti se Enver Hoxha pretendonte se Shehu ishte vetëvrarë pasi ishte kritikuar ashpër për organizimin e fejesës së djalit të tij me një grua, familja e së cilës thuhej se kishte në gjirin e saj “gjashtë deri në shtatë kriminelë lufte”, dhe kështu kishte tentuar të krijonte një skandal që do të minonte regjimin komunist shqiptar.

Së fundi, disa javë përpara se vetë Hoxha të vdiste në prill 1985, gazeta e përditshme e partisë komuniste shqiptare deklaroi se Shehu ishte “likuiduar” – megjithëse një zëdhënës më vonë mohoi se kjo nënkuptonte ekzekutimin e tij (duke pasur parasysh hiperbolën e brutalitetit, shprehje të tilla janë të vështira për t’u deshifruar).

Ashtu si shumica e vëzhguesve të tjerë, fillimisht i konsiderova akuzat që Enver Hoxha i bënte atij si të fantazuara dhe pa ndonjë interes të veçantë.

Por, ky qëndrim më ndryshoi kur u përballa me tonin e përmbajtur të një ish-agjenti tejet konservator të SOE-së në Shqipëri, i cili më befasoi. Krejt papritur — pasi e kisha pyetur për vlerësimin e tij mbi Enver Hoxhën — ai u shpreh: “Në mënyrë të çuditshme, ai kurrë nuk më ka bërë përshtypje aq sa Mehmet Shehu.” Vlerësime të ngjashme u artikuluan edhe nga ish-anëtarë të tjerë të SOE-së: “në të njëjtën gjatësi vale me të”; “pa krahasimisht më i afti nga ai grup” (megjithëse një prej tyre shtoi se “Mehmeti e humbi shortin”); dhe, mbi të gjitha, “i vetmi udhëheqës që mund të ishte ndikuar ose orjentuar drejt Perëndimit mund të ishte vetëm ai, pra Mehmet Shehu”.

Dyshimet e mia u përforcuan më tej kur një veteran tejet i mprehtë (dhe me bindje të forta të djathta) i SOE-së deklaroi me shumë siguri se, pavarësisht prirjes paranojake të  Enver Hoxhës për eliminimin e bashkëpunëtorëve të tij, dhe spastrimëve të njëpasnjëshme që ai bënte gjithmonë qëndronte një arsyetim i tij  i mirëfilltë.

Po, cilat mund të kenë qenë këto arsye “të mirëfillta të mira” në këtë rast?

Në kohën e vdekjes së Shehut, spekulimet përqendroheshin në tre çështje kryesore: (1) mosmarrëveshje lidhur me një hapje të mundshme ndaj Perëndimit pas prishjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën në vitet 1977–78; (2) një konflikt politik mbi çështjen e Kosovës, krahinë e Jugosllavisë me shumicë etnike shqiptare, ku në pranverën e vitit 1981 shpërthyen trazira të rënda; dhe (3) çështja e pasardhësit të Enver Hoxhës (73 vjeç në dhjetor 1981).

Megjithatë, asnjëra prej këtyre nuk dukej e mjaftueshme për të shpjeguar përçarjen midis Hoxhës dhe Shehut: sepse në fund të fundit, ata kishin përballuar së bashku jo pak kriza.

Po përse, atëherë, u ça aleanca e tyre pikërisht në këtë moment, pas gati katër dekadash bashkëpunimi?

Dhe, cili do të kishte qenë thelbi i mospajtimit? Vlerësimet e larta për Mehmet Shehun nga agjentët e SOE-së sugjeronin se një shqyrtim i dosjeve (të filtruara ndjeshëm) në Zyrën e Regjistrave Sekretë mund të ishte i dobishëm. Çfarë kishte raportuar SOE për Shehun gjatë luftës, kur agjentët e saj ishin të përfshirë ngushtë me të, ashtu siç kishin qenë të përfshirë edhe me Enver Hoxhën?

Po kush ishte Mehmet Shehu?

I lindur në vitin 1913, biri i një shehu mysliman të devotshëm, ai paraqitej pothuajse në mënyrë unanime në burimet e botuara si përfaqësuesi i vijës më të ashpër brenda një regjimi jashtëzakonisht të ashpër diktatorial komunist.

Ai kishte luftuar në Spanjë, ku në fazat e fundit të Luftës Civile komandoi Batalionin e Katërt të Brigadës Ndërkombëtare Garibaldi.

Gjatë viteve 1939–1942 u mbajt në një kamp internimi në Francë, ku u anëtarësua në Partinë Komuniste Italiane.

Pas kthimit në Shqipëri, ai u bë me shpejtësi komandanti kryesor ushtarak i forcave partizane.

Si miqtë ashtu edhe kundërshtarët e pranonin njëzëri se ai ishte, pa krahasim, udhëheqësi ushtarak më i aftë i lëvizjes partizane. Nën drejtimin e tij, forcat partizane çliruan kryeqytetin, Tiranën, nga pushtuesit gjermanë në nëntor të vitit 1944.

Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, madje i vetmi vend në botë i pushtuar nga ndonjë prej fuqive të Boshtit, që arriti të çlirohej pa zbarkimin në territorin e saj të një ushtrie të huaj me forca të konsiderueshme.

Pas luftës, Mehmet Shehu u bë ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Mbrojtjes dhe kryeministër (1954–1981). Për më shumë se tri dekada ai ishte njeriu i dytë më i fuqishëm në vend.

Vlerësimet rreth karakterit dhe temperamentit të tij të ishin tepër të violente.

Një agjent britanik, koloneli David Smiley, shkroi se Shehu ishte mburrur se gjatë luftës kishte prerë me dorën e tij fytin e 70 robërve italianë.

Nikita Hrushovi shkruante në kujtimet e tij se Josip Broz Tito i kishte thënë se Mehmet Shehu kishte vrarë paraardhësin e tij në postin e ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxen. Hrushovi i quante Mehmet Shehun dhe Enver Hoxhën «më të këqij se bishat – ata janë përbindësha».

Një artikull në revistën amerikane Collier’s, botuar në kulmin e Luftës së Ftohtë më 1951, pohonte se në Tiranë, Mehmet Shehu njihej si «Kasapi» dhe se kishte zakon të endej rrugëve të kryeqytetit i maskuar. Artikulli e përshkruante atë si «një figurë të gjatë dhe të dobët, si një version hollivudian i një vrasësi ballkanik».

Vetë Mehmet Shehu bëri shumë pak për ta zbutur këtë imazh. Në vitin 1961, në kulmin e përplasjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, ai citohet të ketë deklaruar në Kongresin e Katërt të Partisë: «Për ata që tradhëtojnë vijën dhe unitetin e Partisë: një pështymë në fytyrë, një grusht në nofull dhe, nëse është e nevojshme, një plumb në kokë.»

Kështu pra, vështirë të gjëndej një kandidat më i përshtatshëm për të qenë njeriu i Britanikëve në Tiranë.

Por, gjëja e parë që më ra në sy nga dokumentet arkivore që studiova ishte një mungesë e madhe të dhënash të shkruara: Aty nuk gjendej asnjë referencë për ndonjë akt mizorie të kryer nga Mehmet Shehu. Ndofta, kjo mund të shpjegohej edhe me faktin se vrasja e robërve të luftës ishte një praktikë e zakonshme për të dyja palët gjatë luftës në Shqipëri.

Së dyti, dhe më e rëndësishmja, oficerët britanikë që ishin më pranë Mehmet Shehut parashikonin në atë kohë (në mesin e vitit 1944) mundësinë e një përballjeje të ardhshme midis tij dhe Enver Hoxhës.

Duke diskutuar mundësinë e një përçarjeje brenda lëvizjes komuniste, ata shkruanin: «Figura kryesore e përfshirë është Mehmet Shehu… Është e vështirë të thuhet nëse do të ketë ndonjëherë një përballje mes tij dhe Enver Hoxhës apo jo. Ai është një njeri krenar dhe i fuqishëm, por edhe një njeri me ideale…»

Mospajtimet në atë kohë preknin çështje themelore. Pikërisht në kulmin e luftës civile, në korrik të vitit 1944, kur Enver Hoxha po bënte gjithçka për të shtypur kundërshtarët e tij të krahut të djathtë (Ballin Kombëtar dhe përkrahësit e Mbretit Zog në mërgim), oficeri britanik i mirëinformuar, majori W. V. G. Smith, i cili e njihte mirë Mehmet Shehun, raportonte se: «Shehu beson se ekziston mundësia e një kompromisi.» Një qëndrim i tillë ishte krejtësisht i papranueshëm për Enver Hoxhën.

Por dokumentet britanike shkojnë shumë më tej sesa thjesht parashikimi i një përçarjeje mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut (gjë që, deri në një farë mase, mund të lihet mënjanë si një tipar i zakonshëm i raporteve mbi lëvizjet komuniste të hartuara kryesisht nga agjentë të krahut të djathtë).

Një raport nga selia e SOE-së (Special Operations Executive – Zyra Ekzekutive e Operacioneve të Posaçme) në nëntor të vitit 1944, pikërisht në atë kohë kur partizanët po përgatiteshin për ofensivën e tyre përfundimtare për të dëbuar gjermanët dhe për të marrë Tiranën, shkruan mbi atë që cilësohet si konsensusi (i supozuar).

Kështu pra, pas marrjes në pyetje të 12 agjentëve britanikë që sapo ishin kthyer nga Shqipëria, u hartua një raport i SOE-së  i cili e përmend Mehmet Shehun si personin ku ishin përqendruar shpresat britanike për rrëzimin e Enver Hoxhës.

Në një pjesë të titulluar “Ndikimi britanik”, dokumenti pretendon (në mënyrë shumë të dyshimtë) se: “Shumica e vendit ka një prirje të fshehtë pro-britanike dhe do ta mirëpriste një pushtim britanik.”

Më tej thuhet: “Ka qartësisht disa njerëz që e vlerësojnë atë që Britania ka bërë dhe që janë në thelb kundër politikës së tanishme të Partisë, por që nuk janë në gjendje t’i shprehin hapur pikëpamjet e tyre…”

Sipas raportit, ishte “e rëndësishme të merrej në konsideratë kundërshtimi i mundshëm brenda Lëvizjes dhe udhëheqësit e saj të mundshëm”.

Emri i dytë (nga pesë emrat e renditur në dokument) është ai i Mehmet Shehut, i përshkruar si: “një njeri personalisht ambicioz dhe mendjemadh, i cili është mbajtur i nënshtruar dhe nën kontroll nga Partia për njëfarë kohe. Ai është padyshim figura ushtarake më e respektuar dhe më e rëndësishme brenda Lëvizjes… Ai është komunist, por ambicia e tij personale tejkalon besnikërinë e tij ndaj Partisë.”

Dokumenti përfundon me këto fjalë: “Duhet të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar eliminimin e atyre elementëve pro-britanikë që tashmë njihen prej nesh dhe të përpiqemi t’i forcojmë ata në mënyrë të padukshme.”

Në vetvete, kjo nuk dëshmon asgjë tjetër përveçse një dëshirë për ta besuar diçka të tillë – një shpresë e parealizueshme që u rrëzua nga një raport i hollësishëm, i hartuar disa javë më vonë nga një prej agjentëve më të aftë të SOE-së në Shqipëri, i nderuari Alan Hare (më vonë kryetar i kompanisë Pearson). Në një pjesë ku trajtonte mundësinë e mbështetjes britanike për një kryengritje kundër Hoxhës, Hare shkruante:“Ne tani, për mirë ose për keq, jemi identifikuar me zogistët” , që janë mbështetësit e Mbretit Zog në Shqipëri, dhe për këtë arsye urrehemi e nuk na besojnë pjesa më e madhe e popullit [etj]…”

Ky pasazh gjendet në pjesën që trajton FNC-në – Frontin Nacionalçlirimtar, domethënë partizanët – dhe mban titullin “Krahu i Djathtë i FNC-së dhe Rëndësia e Tij”.

Në të diskutohen tri grupe që mund të ngriheshin kundër regjimit të Enver Hoxhës.

Dhe kandidati kryesor në grupin e tretë ishte Mehmet Shehu, i cili, sipas mendimit të Hare-it, me shumë gjasa do të përpiqej të siguronte mbështetje nga e majta, por mund të përpiqej edhe përmes ushtrisë nga krahu i djathtë, gjë që do të ishte mundësia e tij më e mirë.

Një lëvizje e tillë do të kërkonte mbështetjen e një fuqie të madhe të jashtme – dhe e vetmja që mund ta ofronte këtë ishte Britania e Madhe.

Megjithatë, Hare vazhdonte duke thënë se një mbështetje e tillë ishte mjaft e pamundur – dhe, gjithsesi, çdo udhëheqës që do të siguronte përkrahjen britanike do të ishte i dënuar të dështonte.

Sjellja e Britanisë, shkruante ai, “po e bën sigurimin e mbështetjes së Aleatëve të papëlqyeshme tek populli shqiptar dhe konsiderohet mbështetje e pasigurt nga udhëheqësit”.

Hare, i cili ishte mbi të gjitha një realist, e përmblidhte kështu situatën:“Është e qartë se, në situatën aktuale politike ballkanike, mundësitë për të ushtruar ndikim politik mbi Shqipërinë me metoda paqësore, gjatë njëzet viteve të ardhshme, janë të pakta.”

Kur arkivat britanike të kohës së luftës u hapën (pjesërisht) në vitet 1970 (30 vjet pas ngjarjeve), qeveria shqiptare dërgoi në Londër një nga historianët e saj më të njohur për të shqyrtuar dokumentet arkivore.

Rezultati i këtij kërkimi u botua në Tiranë, në gjuhën angleze, në vitin 1981: “Nga Analet e Diplomacisë Britanike: Planet Antishqiptare të Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas dokumenteve të Ministrisë së Jashtme Britanike 1939-1944”, nga Arben Puto.

Ky është një libër i botuar mbi  hulumtime të kujdesshme. Shënimet tregojnë se Puto e kishte kaluar dosjen që përmbante dëshmitë më komprometuese lidhur me shpresat e Britanisë për Mehmet Shehun.

Por, Puto në këtë libër nuk citon asnjë informacionin mbi Mehmet Shehun, e as ndonjë material tjetër nga ajo dosje, e cila përmban edhe shumë të dhëna të tjera interesante.

Megjithatë, në këtë rast koha e botimit të këtij libri është një element vendimtar për t’u marrë parasysh.

Libri i Putos doli në vitin 1981.

Dhe Mehmet Shehu vdiq në dhjetor të po atij viti. Në janar 1982, Enver Hoxha botoi denoncimin e tij të parë kundër Mehmet Shehut, duke iu referuar disa dokumenteve zyrtare britanike; më shumë materiale do të publikoheshin më vonë gjatë atij viti.

Ajo që duket se ka ndodhur është se Puto gjeti dosjet ku Shehu paraqitej si një “element pro-britanik”. Këto dokumente ishin tepër komprometuese. Dhe ai duhej t’ia tregonte këto dokumente Enver Hoxhës. Dhe në këtë rast nuk mund të ketë qenë lajm i panjohur për Enver Hoxhën fakti që gjatë luftës kishte pasur mosmarrëveshje të mëdha politike mes tij dhe Mehmet Shehut.

Por, të shihje dokumente të hartuara nga agjentë të inteligjencës britanike — disa prej të cilëve kishin qenë aktivë në përgatitjen e pushtimit të Shqipërisë më 1949, (i cili realisht ishte  një operacion për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1949, që u organizua Shërbimit Sekret Britanik (MI6) në bashkëpunim të ngushtë me CIA-n Amerikane.- Shënim i përkthyesit) — ku kryeministri yt renditej si numri 2 në një listë me “elementë pro-britanikë” që duhej të mbroheshin dhe “të forcoheshin në mënyrë të padukshme”, do të mjaftonte për të shpërthyer një dyshim vdekjeprurës në një mendje kronikisht dyshuese dhe paranojake.

Dhe natyrisht që dokumentet britanike, nuk mund të shfaqeshin për herë të parë në librin e Putos për sa kohë që Mehmet Shehu ishte ende kryeministër.

Por me sa duket, Enver Hoxha i mbajti këto dokumente të fshehura derisa, në fund të vitit 1981, lindi një mosmarrëveshje e madhe politike dhe më pas i përdori ato si argumentin përfundimtar në përplasjen me Shehun.

Më vonë, duke u paraqitur si udhëheqësi largpamës, gjithmonë vigjilent dhe “demaskuesi” kryesor, vetë Enver Hoxha botoi zbulimet e nxjerra nga arkivat e Kew-it. (Në Kew është Arkivi Kombëtar Shtetëror i Britanisë së Madhe dhe ndodhet në pjesën jugperëndimore të Londrës, përgjatë lumit Tamiz – Shënim i përkthyesit)

Në politikën shqiptare të pasluftës, çdo mosmarrëveshjeje, qoftë për çështje të politikës së brendshme apo dhe për çështje të politikës të jashtme, gjithmonë i është dhënë një dimension i një rreziku të huaj (duke pasqyruar si ksenofobinë tradicionale shqiptare, ashtu edhe praktikën staliniste).

Të gjithë bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës që u eliminuan – dhe ata ishin të shumtë – u denoncuan si agjentë të ndonjë fuqie të huaj.

E kaluara poliglote dhe internacionaliste e Mehmet Shehut i dha mundësi regjimit të ndërtonte zinxhirin më të gjatë të akuzave për lidhje me “padronë” të huaj.

Enver Hoxha i përqeshi dhe i injoroi raportet e shërbimve sekrete të shteteve perëndimore dhe të Jugosllavisë që shkruanin se ai (Enver Hoxha), kishte pasur një përleshje me armë me Mehmet Shehun, duke i quajtur ato si “një skenar i marrë nga filmat western, me shkëmbime zjarri që ndodhnin në sallonet e asaj kohe!” – por, sigurisht, kjo ishte gjithashtu mënyra shqiptare e zgjidhjes së gjërave.

Por, më në fund, Mehmet Shehu e humbi lojën  në hedhjen këtij shorti të rrezikshëm dhe mori si shpërblim një plumb në kokë.

Jo sepse ai ishte në të vërtetë agjent Britanik, por sepse Britanikët e kishin cilësuar atë si një njeri të përshtatshëm për të udhëhequr një lëvizje që do të rrëzonte Enver Hoxhën.

Dhe kjo ishte më se e mjaftueshme që Enver Hoxha të vendoste ta eliminonte atë .

PERKTHEU: NDREK GJINI – GALWAY, IRELAND

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?