Veliaj: Tirana, 2 vjet zgjuar, çdo ditë me një punë konkrete
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nisi turin e takimeve në 24 njësitë administrative të kryeqytetit për të prezantuar analizën dy vjetore të punës. Veliaj deklaroi se slogani i ri i kryeqytetit është “Tirana, 2 vjet zgjuar”, gjatë prezantimit të investimeve në njësinë nr.1.
“Slogani i ri është “Tirana, 2 vjet zgjuar”. Vjet kur bëmë raportimin tonë vjetor e quajtëm sloganin “Tirana 1 vit në punë” sepse ishte një kontrast me Tiranën katër vjet në gjumë. Edhe sivjet slogani i ri është “Tirana 2 vjet zgjuar” se bën një diferencë shumë të madhe kur je zgjuar, kur përvesh mëngët dhe kur je në punë sesa kur je në gjumë. Unë besoj se ky kontrast është akoma më i madh sot kur shohim përballë nesh që ekipi që po na ofrohet në Tiranë është prapë ekipi i gjumit, ekipi që fjeti katër vjet vjen prap në Tiranë dhe thotë, ju zëntë sytë puna se ne duam të flemë prapë, por kësaj here duam të flemë në Parlament”,-tha Veliaj.
Veliaj premtoi se Bashkia do të vijojë me investimet e saj në të gjithë kryeqytetin pa bërë asnjë diferencim mes qendrës dhe periferisë.
“Kur thamë, nuk do të presim katër vjet që të bëjmë një bilanc, nuk do të presim katër vjet që t’u raportojmë si e trajtuam besimin dhe votën që njerëzit na dhanë, ne nuk do të presim katër vjet që pastaj kur të vijë prap fushata të kujtohemi për njerëzit, ne do të jemi jo vetëm çdo vit në një raport por ne kemi qenë çdo muaj, çdo ditë me një punë konkrete dhe të prekshme”, tha Veliaj.
Veliaj u ndal gjatë në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së për kryeqytetin, ndërsa shprehu bindjen se Tirana do të vazhdojë në rrugën që ka nisur.
“Mendojnë se ka ende budallenj në Tiranë që do të votojnë një ekip humbësish kur ne jemi duke punuar përditë, në asnjë mënyrë.Asnjë kthim mbrapa në Tiranë. Humbësi i bashkisë sot sjell dhe kandidatin tjetër që humbi. Ishte burrë shumë i mirë, por e rrrafëm me 50 mijë vota. Marrin dhe Gridën që refuzoi Durrësi. Që ta kompletojnë listën sjellin dhe Fatmir Mediun. Unë mendoja ta bëjmë Gërdecin si Tirana. Propozimi i tyre është ta bëjnë Tiranën si Gërdeci. Në asnjë mënyrë. Është shakaja më e poshtër që mund ti bësh këtij qyteti. Kjo ishte republika e re 90 ditë në çadër për ti thënë Tiranës nuk e duam punën, duam gjumin dhe kjo është oferta jonë, oferta e humbësve. Dhe qershia mbi tortë, vjen në Tiranë Saliu. Përgjigjia e Tiranës është jo”, tha ai.

