Vetting-u djeg prokuroren Rovena Gashi, KPK e shkarkon
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë vendimin ditën e sotme për prokuroren Rovena Gashi, duke mos e konfirmuar në detyrë. Në seancën dëgjimore të KPK, Gashi dhe avokatja e saj nuk ishin të pranishme.
Rovena Gashi është e para që hapi një betejë me Komisionin e Vettingut, ku në seancën dëgjimore e konsideroi vendimin e saj të paragjykuar dhe të ndërmarrë muaj më parë, atëherë kur ishin dërguar pyetjet e para nga Komisionin i Vetingut.
Tani që mori verdiktin e shkarkimit, Rovena Gashi ka kohë të merret me një çështje tjetër, të cilën e ka dërguar në Strasburg ku kundërshton shtetin shqiptar për procedurat se si ajo u pezullua nga detyra.

