VIDEO/ 6 fshatra në Fier në luftë me flakët, Rama: Vijon ndërhyrja nga ajri. Urgjenca shëndetësore në gatishmëri të plotë

Qarku i Fierit këtë të premte është në luftë me zjarret. Flakët kanë nisur në fshatin Fermë Çlirim dhe të favorizuara nga erërat e forta, janë përhapur me shpejtësi në drejtim të Radostinës, Levanit, Peshtanit të Vogël, Frakullës dhe Zhupanit. Si pasojë e tymit të dendur, tre persona kanë pësuar asfiksi dhe janë dërguar në spital. Përhapja e flakëve ka shkaktuar dëme në disa banesa dhe biznese në zonat e prekura.

Deri më tani, raportohet se 10 familje janë evakuuar nga zonat e rrezikuara, ndërsa vijon operacioni për vënien nën kontroll të situatës. Kryeministri Edi Rama ka postuar pamje nga ndërhyrja, duke bërë të ditur se forcat po punojnë për izolimin e zjarreve në zonat e Drizës, Vadhizës dhe Radostinës. Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve dhe vendosjen e situatës nën kontroll.

”Vijon ndërhyrja nga ajri për vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Drizë, Vadhizë, Radostinë. Në gatishmëri të plotë është edhe shërbimi shëndetësor, me ekipet e urgjencës dhe strukturat përkatëse për t’iu përgjigjur çdo situate të mundshme”,-shkruan Rama.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kreu i Emergjencave Civile

Swiss Digital Mobile Reklama

Në terren ka zbarkuar edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili nga Levani i Fierit, ka pohuar se situata e zjarrit që ka përfshirë 6 fshatra vijon të mbetet problematike. Çako u shpreh se prioriteti kryesor është shpëtimi i jetës së njerëzve, ndërsa teksa theksoi se dyshonte për zjarrvënie të qëllimshme, u kërkoi organeve kompetente që ndaj autorëve të jepet dënimi maksimal i parashikuar nga ligji. ”Po vazhdojmë punën. Ka disa orë që Levani dhe kodrinat e Fierit janë përshkruar nga një zjarr masiv. Problemi i vënies para përgjegjësisë ligjore është kompetencë e organeve kompetente, e Policisë dhe organeve të drejtësisë, që duhet të jenë më korrekte dhe drastike ndaj autorëve të zjarrvënies. Do të duhet që gjithësecili të përgjigjet ligjërisht dhe pse jo edhe me sanksione ekstreme”, tha mes të tjerash Çako.

Ministri i Mbrojtjes

Kurse ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bën të ditur se në Drizë-Radostinë të Fierit janë angazhuar 55 efektivë dhe 2 helikopterë, ndërsa 10 familje janë evakuuar. Ndërkohë, forcat po operojnë edhe në Lezhë, Dajt dhe Mat, ndërsa zjarri në Qinam të Zall-Herrit është vënë nën kontroll dhe konsiderohet i fikur. Sipas Nufit, FA mbeten në gatishmëri të plotë për mbështetjen e komuniteteve të prekura.

”Që prej orëve të para të ditës, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa 10 familje janë evakuuar.

Në Njësinë Administrative Ungrej, bashkia Lezhë, janë angazhuar 80 efektivë të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore.

Në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse të FA dhe 1 helikopter i Forcës Ajrore. Zjarri konsiderohet i fikur.

Në Dajt, vijon angazhimi me 30 efektivë të FA dhe 1 helikopter të Forcës Ajrore.

Në Mallunxë, Mat, janë angazhuar 30 efektivë dhe 1 automjet zjarrfikës i FA. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve, aty ku nevojitet”.

View this post on Instagram

 

A post shared by Edi Rama (@ediramaal)

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?