VIDEO – FOTO/ Trafik droge në Europë, ja kush janë 3 vëllezërit shqiptar që drejtonin organizatën. Emrat
Një operacion masiv anti-drogë ku morën pjesë mbi 100 efektivë, u mbyll këtë të martë nga karabinierët e Firences në Itali.
Disa persona, pjesëtarë të një organizatë që importonte kokainë nga Holanda në Zvicër dhe Itali, janë arrestuar nga karabinierët.
Hetimet kanë çuar në arrestimin e nëntë personave. Gjithashtu, për katër persona të tjerë është vendosur masa e sigurisë së detyrim paraqitjes. Janë ekzekutuar edhe 23 urdhra-kontrolli.
Siç raportojnë mediat italiane, në krye të organizatës, ishte një familje shqiptare.
Hetimet kanë nisur që në vitin 2014. Një vit më pas u arrestuan tre shqiptarë, të gjithë me banim në fshatin Cavallina të komunës Barberino di Mugello (Firence), të cilët furnizonin me kokainë territorin e Barberino di Mugello. Hetimet e mëtejshme kanë lejuar identifikimin e dy vëllezërve shqiptarë, të cilët vepronin në gjithë provincën e Firences. Ata janë Ervis Lulashi, 29 vjeç e Fabjo Lulashi, 31 vjeç, të dy me banim në Sesto Fiorentino (Firence).
Ervisi dhe Fabjo furnizoheshin me kokainë nga vëllai i tyre Eljon Lulashi (34 vjeç), me banim në St. Gallen (Zvicër), i cili ndihmohej nga bashkëjetuesja e tij Orjeta Haxhira.
Sekuestrimi i 1.3 kg kokainë në shtator 2014 në Calenzano (Itali), në një makinë e marrë me qira në Zvicër, që drejtohej nga një korrier italian, çoi në një bashkëpunim mes autoriteteve italiane dhe atyre zvicerane për ngritjen e një ekipi të përbashkët hetimi.
Më tej, u zbulua se Eljon Lulashi dhe Orjeta Haxhira furnizoheshin me drogë nga Holanda. Droga dërgohej me korrierë nga Holanda në Zvicër, ku pjesërisht shitej atje dhe pjesërisht transportohej në Itali nga dy vëllezërit Lulashi: Ervisi dhe Fabjo.
Gjatë hetimeve është dokumentuar trafikimi i rreth 12 kg heroinë nga Holanda në Zvicër në vetëm 1 muaj: nga marsi– në maji 2015. Në atë periudhë janë arrestuar edhe tre italianë, banues në Zvicër, të cilët posedonin rreth 4 kg kokainë dhe një pistoletë.
Aktiviteti i vëllezërve Lulashi ka çuar në identifikimin e një tjetër shqiptari, Kolë Blinishta, 29 vjeç. Në tetor 2015 ai furnizoi me 1 kg kokainë dy vëllezërit.
Por 3 vëllezërit nuk ishin të vetmit e familjes të përfshirë në trafikun e drogës. Bashkë me ta ishte edhe i ati i tyre si dhe bashkëshortja e njërit prej vëllezërve.
Në grupin kriminal bënte pjesë edhe shqiptari tjetër Nikoll Lleshi, 36 vjeç, italiani 30-vjeçar Claudio D’Elia, marokeni 24-vjeçar Said Ez Zitouni, si dhe Agim Koçeçu, 40 vjeç. Ky i fundit ishte punëtor i një kompanie transporti në Sesto Fiorentino (Firenze). Në magazinat e kësaj kompanie, Agimi mbante kokainën e grupit kriminal, në pritje për tu dërguar te blerësit.
Dy shqiptarët të tjerë, 30 e 38 vjeç si dhe një maroken 35 vjeç ishin pjesë e grupit. Për ta është vendosur masa e detyrim paraqitjes.
Një ditë më parë mediat italiane raportuan për tre të tjerë të arrestuar si pjesë e organizatës, një 21-vjeçar shqiptar dhe një çift italianësh.






