VIDEO/Konventa e LSI zgjedh Kryetarin e ri. Salla shpërthen: LSI, forcë e parë!
Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbledhur sot Konventën Kombëtare. Konventa do të zgjedhë Kryetarin e ri të partisë, si dhe zv/kryetaren e parë të LSI, pas zgjedhjes President të Ilir Metës. Konventa e LSI-së zgjodhi me shumicë votash, Petrit Vasilin si kryetar i kësaj force politike. Zëvendëskryetare u zgjodh Monika Kryemadhi.
Konventa, u zhvillua në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Takimin e hapi Ministrja për Integrimin Evropian, Klajda Gjosha, njëkohësisht kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Tiranës.
Takimi ka nisur në një atmosferë tejet entuziaste. Antarët e Konventës kanë brohoritur për disa minuta “LSI, forcë e parë”.
Në fjalën e tij të fundit si kryetar i LSI, Ilir Meta deklaroi se ky i sotmi do ishte fjalimi i tij më i shkurtër. Teksa ishte i pranishëm në Konventën e LSI, ku do të zgjidhet dhe kreu i ri, Petrit Vasili, Meta tregoi rrugëtimin e kësaj force. Po ashtu, Meta u kthye në kohë, duke kujtuar koalicionin me PD. ‘E di që shumë nga LSI nuk u pajtuan me koalicionin me PD’, tha ai.
“Kjo është fjala më e shkurtër që unë kam mbajtur ndonjë herë në një Konventë. Nuk dua të ndal entuziazmin tuaj, por dua që përmes qetësisë tuaj dua të komunikojë dhe me gjithë anëtarët kudo që janë në gjithë Shqipërinë. Ju falënderoj shumë që e mirëkuptuar dhe pse me pak vështirë zgjedhjen time si president i vendit, duke kuptuar dhe mirëkuptuar atë si një investim që jo vetëm unë, por mbi të gjitha si një investim që çdo anëtar bënë për LSI-në. Lindi si një forcë për demokraci, si një forcë për integrimin më t shpejtë të Shqipërisë. Lindi si një sfidë ndaj arrogancës së qeverisjes së kohës, jo vetëm si sfidë e Ilir Metës, por dhe gjithë shqiptarëve, ndaj një regjimi dy partiak në Shqipëri. LSI ka përpjekje konsensuale, forca më e lartë morale për zgjedhje të lira dhe demokraci në Shqipëri”, tha Meta.
https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/videos/1550372574975995/
Kryemadhi: LSI e mban fjalën. Alternativa jonë nuk është arroganca
Në konventën e LSI-së, deputetja dhe bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi ka folur për të ardhmen e kësaj force politike. Ajo tha se forca e LSI-së është bashkimi idetë dhe dëshira për të ndryshuar Shqipërisë.
Kryemadhi u shpreh se modeli i LSI nuk është arroganca, por alternativa. Kryemadhi shtoi se ndryshimi i LSI nga forcat e tjera është se “LSI-ja e mban fjalën. LSI u jep një shans të gjithëve”.
Në Konventën e sotme, Kryemadhi është propozuar si Zv/Kryetare e LSI. Në fjalën e saj, Kryemadhi për herë të parë uroi dhe Ilir Metën për marrjen e detyrës si President.
“Me kontributin tonë si LSI ne i dhamë Shqipërisë presidentin e ri, të cilin unë sot po e uroj për herë të parë, suksese në detyrën e re. Suksese në detyrë dhe ta vuaj sa më pak ndarjen nga kjo zemër e tij e madhe që është LSI, e cila për mua do të mbetet zgjedhja numër 1”,- tha Kryemadhi.
Ajo shtoi se “Unë do të jem sipas protokollit Zonja e Parë e Presidentit, ju them të gjithëve se unë jam e nderuar të jem Zonja e Parë, por me shumë se aq ndjehem dhe jam e nderur që jam zonja e Ilir Metës. Asnjë ceremonial nuk i parashikon dot kufijtë e të qenit zonjë e parë në krah të një burri të suksesshëm”.

Vasili: LSI do të jetë vetëm forcë e parë. Ne garantojmë stabilitet
Pas Kryemadhit, në foltoren e Konventës së LSI u ngjit Kryetari i ardhshëm i partisë, Petrit Vasili.
“Konventa kombëtare mbahet në një moment krize politike. Është një moment që tregon se kush është forca e përgjegjshme politike në vend. Është një moment që tregon se cila forcë merion të ketë mbështetje të qytetarëve dhe cila jo. LSI ka bërë një investim madhor të sinqertë, duke prodhuar më shumë qetësi dhe stabilitet për vendin”,- tha Vasili.

Vasili foli dhe për zgjedhjen e Ilir Metës në krye të shteti. “Nuk ishte Meta që zgjodhi Presidencë, por ishte institucion i Presidencës që zgjodhi atë. Me Metën President dhe LSI forcë e parë, Shqipëria ecën vetëm përpara”,- tha Vasili.
Vasili pohoi se qëllimi i partisë që ai do të drejtojë është që të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nga foltorja e Kongresit të LSI, Vasili theksoi se kjo forcë rritet dhe nuk njeh limite.
“Forcë e parë, s’kemi ça bëjmë tjetër. LSI kjo është kryefjala jonë. Pas kaq vitesh, kam nderin që të jem në këtë foltore. Në këtë sallë, është e gjithë historia jonë. Kemi përballuar dhimbjen e padrejtësisë. Pa rininë është një Shqipëri e vdekur. LSI që nuk ka limite, që do të jetë forcë e parë. Është një moment që bënë të qartë për çdo shqiptar se kush është forcë e përgjegjshme politike. LSI ka bërë në këtë drejtim një investim madhor, të sinqertë, të drejtpërdrejt. Në të mirë të stabilitetit të vendit, LSI bëri një tjetër investim. Zgjedhja e Metës president është investim nga LSI. Presidenca zgjodhi Meten dhe jo anasjelltas”, tha Vasili.

Petrit Vasili zgjidhet kryetar i LSI, Monika Kryemadhi zëvendëskryetare
Nga Konventa e LSI-së u konfirmua që Petrit Vasili u zgjodh kryetar i kësaj force politike. Nga ana tjetër zëvendëskryetare u zgjodh Monika Kryemadhi. Kreu i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili pohoi se qëllimi i partisë që ai do të drejtojë është që të dalë forcë e parë në zgjedhjet e 18 qershorit. Nga foltorja e Kongresit të LSI, Vasili theksoi se kjo forcë rritet dhe nuk njeh limite.

