Vodhi celularin në makinën e të aksidentuarit me vdekje, arrestohet polici në Kavajë
Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat arrestoi sot punonjësin e policisë Baki Ballhysa, me detyrë Patrullë e Përgjithshme pranë pikës së bllokimit të automjeteve të sekuestruara, në Komisariatin e Policisë Kavajë me akuzën e ‘’Vjedhje me anë të shpërdorimit të detyrës’.
Sipas SHÇBA, punonjësi i policisë Baki Ballhysa, prej një muaji ishte nën hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, në kuadër të referimit penal dërguar nga ana e SHÇBA-së në datë 14 prill 2017, pasi dyshohej se gjatë ushtrimit të detyrës kishte marrë një telefon celular, nga një automjet i përfshirë në një aksident me pasojë vdekje në datën 1 mars 2017.
Nga hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Prokurorinë Kavajë u bë i mundur gjetja dhe sekuestrimi i telefonit, në përdorim nga punonjësi i policisë Ballhysa.

