Vrasësi i Cukut nuk flet, prokurori “zbulon” detajin që tradhëtoi 24-vjeçarin
“Nuk kam asgjë për të thënë. Do të flas njëherë tjetër”. Kështu është shprehur në seancën e parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, 24 vjeçari Mikel Shallari, i arrestuar për vrasjen e komisar Artan Cukut më 8 prill 2017. Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për Shallarin.
Ai ka refuzuar edhe bashkëpunimin e ofruar, për të përfituar statusin e të penduarit, duke vijuar të mbajë qëndrim mohues lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij.
Burimet thanë se Shallarit i janë ofruar të gjitha mundësitë për të bashkëpunuar me drejtësinë, duke i përmendur edhe përfitimet që mund të ketë në rast se tregon porositësit.
Prokurori tha se ka dyshime që vrasja e komisar Cukut të jetë bërë për hakmarrje. Por gjithashtu po hetohet edhe për një vrasje të lidhur me detyrën.
Mësohet se zbulimi i ngjarjes dhe këtij personi si autor i dyshuar i vrasjes, është bërë nga analiza e kamerave të sigurisë ku është vërejtur largimi i personit të dyshuar nga vendi i ngjarjes. Janë ndjekur kamerat biznes pas biznesi deri te sheshi Willson dhe aty është parë që Mikeli ka hequr bluzën dhe e ka hedhur në kosh e cila më pas është gjetur nga ekspertët.
Ka qenë ADN-ja në xhepat e bluzës sportive që ka lënë në kosh autori, e cila ka zbardhur identitetin e tij. Nga pamjet e kamerave është parë që autori ecën me duart në xhepa në bluzë.
Ekspertët e kanë shpërndarë profilin e ADN-së dhe ka reaguar Interpol berna e Zvicrës që kanë thënë ne kemi pasur një të shoqëruar me këtë profil gjenetik.

