Vrasja e Fildez Hafizit, merr fund ngërçi për gjykimin e Fadil Kasemit. Ja cila gjykatë vendos për të
Fadil Kasemi do të gjykohet nga Krimet e Rënda. Gjykata e Lartë i ka dhënë rrugë ngërçit të çështjes së vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi nga bashkëshorti i saj Fadil Kasemi.
Gjykata e Lartë ka vendosur që çështjen ta gjykojnë Krimet e Rënda.
Vendimi vjen pak ditë pasi emisioni “Studio e Hapur” në News24 e ngriti si shqetësim, duke marrë shkas edhe nga letra e babait të gjyqtares së vrarë të shkruar pak ditë para vdekjes, ku thoshte se ish-dhëndri ishte drejt lirimit për shkak të ping-pongut mes institucioneve të drejtësisë.
Kjo çështje prej rreth një viti po shëtiste sa në Gjykatën e Krimeve të Rënda në atë të Shkallës së Parë të Tiranës, pa mundur dot të shqyrtohej.
Më 30 maj, Gjykata e Tiranës ia përcolli dosjen Gjykatës së Lartë, pasi ishte e paqartë mbi kompetencën për shqyrtimin e çështjes.
Por, të njëjtin problem më parë e kishte konstatuar edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e cila e kishte transferuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.
Familjarët e gjyqtares së ndjerë iu drejtuan me një letër autoriteteve kryesore të vendit, duke vënë në dijeni edhe ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në vendin tonë pasi afatet e paraburgimit kalonin duke rrezikuar lirimin e autorit të krimit.
Babai i gjyqtares Bynjamin Hafizit kërkonte vëmendjen dhe përshpejtim të procedurave, pasi vonesat rrezikonin lirimin e vrasësit të së bijës. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, tashmë pritet në nis gjykimi nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
GJYKATA E LARTË VENDOSI:
1. Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, duke përcaktuar si Gjykatë kompetente për gjykimin e çështjes, objekt mosmarrëveshje, Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
2. Dërgimin e akteve për kompetencë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.
3. Urdhërohet Sekretaria pranë Gjykatës së Lartë, t’i komunikojë menjëherë këtë vendim përkatësisht Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, Prokurorive përkatëse, si dhe të pandehurit Fadil Kasemi.

