Vrasja e trefishtë/ Flet nëna e viktimave: Djemtë e mi, vëllezër gjaku me killerin e Camorra-s
Nëna dhe gruaja e Besnik Sulkut, një prej tre viktimave të masakrës së ndodhur pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës majin e vitit 2015, dëshmuan në Gjykatën e Krimeve të Rënda, kundër vëllezërve Markeljan e Klejvi Doçi dhe italianit Salvatore Letizia.
Gjysere Sulku rrëfeu vrasjen e dy djemve të saj dhe gishtin e akuzës e drejtoi ndaj vëllezërve Doçi, raporton “BalkanWeb”.
“Kisha katër fëmijë, por tani kam vetëm dy. Djali i vogël Durimi u vra në Holandë më 6 prill 2015. Mua më thanë se vdiq në aksident. Trupin e tij e sollën 12 ditë më vonë. Nga lajmet kam mësuar se djalin ma kanë vrarë Markeljan e Klejvi Doçi. Djali tjetër, Besniku u vra ditën që kishim të 40-at e vdekjes së Durimit”, ka thënë ajo.
“BalkanWeb” mëson se gruaja 67-vjeçare dha detaje edhe mbi njohjen me të pandehurin Salvatore Letizia, i njohur si kapo i një prej klaneve të Kamorras, i cili po gjykohet për vrasjen e Mentor Doçit.
“Salvatore Letizia ishte bërë vëlla gjaku me djalin tim Besnikun. Ai vinte në shtëpinë tonë. Hera e fundit, ishte dita kur kishim të 40 e vdekjes së djalit Durimit. Na takoi, piu kafe dhe hëngri drekën. Diku rreth orës 14:00 u largua bashkë me djalin Besnikun. Atë ditë, Besniku u vra afër stacionit të Trenit. Prapë nga televizionet e mësova se në vrasje kishin gisht këta djemtë. Me familjen Doçi kemi jetuar në një lagje në Bulqizë. Djemtë tanë kanë qenë moshatarë dhe kanë patur përplasje mes tyre, por s’e di se për çfarë arsye. Dua të them se gjithçka ka ndodhur me fëmijët e mi ja kam lëne në dorë drejtësisë”, është shprehur ajo.
Fllanxa Sulku, e veja e viktimës Besnik Sulku, ashtu sikurse vjehrra e saj, rikonfirmoi njohjen e bashkëshortit me italianin dhe gjithçka dinte për konfliktet mes dy familjeve.
Sipas Prokurorisë, Besnik Sulku kishte paguar Salvatore Letizian për të vrarë Mentor Doçin, të cilin e akuzonte si urdhërues të vrasjes së vëllait të tij, Durimit në Holandë.
Menjëherë sapo Letizia ekzekutoi Doçin, dy nipat e viktimës, qëlluan për vdekje në shenjë hakmarrje Besnik Sulkun.


