Vrau gruan, i ati i vrasësit mes lotëve: Djalin e kemi bërë lanet. 6 fëmijë janë në rrugë
Në zonën e ish-kënetës në Durrës, 4 ditë më parë nëna e 6 fëmijëve, Ardiana Shaholli u vra në mënyrë makabre nga bashkëshorti, Çlirim Shaholli. Në shtëpinë e familjes së varfër, jetojnë 6 fëmijët e çiftit dhe 2 prindërit e moshuar të autorit të krimit.
Babai i Çlirim Shahollit, ka bërë përgjegjës djalin e tij 42-vjeçar. 81-vjeçari Zaim Shaholli, shprehet se kur ka ndodhur ngjarja kriminale ka qenë në Korçë së bashku me të shoqen për t’u kujdesur për disa toka që kishin në Maliq.
I moshuari thotë se djali i tij nuk kishte asnjë lloj zanati dhe nuk punonte, ndërsa nuk lejonte as gruan e tij, Ardiana Shaholli, prej një kohe të gjatë që të hynte në punë. Ai tregon se jetonte në një banesë me djalin dhe fëmijët e tij, ndërsa krimin e ka marrë vesh nga të afërmit në Maliq.
Familja mbahej me të ardhura të pakta nga pensionet e dy prindërve të autorit të vrasjes, ndërsa më vonë ju është shtuar edhe rroga e ulët e gruas së këtij të fundit. Ai thekson se djali pinte shumë alkool.
”Pinte alkool dhe po të kishte mundësi ta thante të gjithë shishen. Grindej shpesh me gruan e tij, sidomos gjatë vitit të fundit. Gruaja e tij ishte shumë e mirë. Përpiqej me të gjitha mundësitë që të mbante shtëpinë”,-thotë i moshuari.
Gjyshja e cila e ka edhe më të rëndë këtë ngjarje, e pikëlluar thotë se është përpjekur që djalin ta çonte në rrugë të drejtë, por ai nuk punonte. ”Kishte një vit që grindej me të shoqen, por nuk e mendonim se do të shkonte deri këtu. Fëmijët janë shumë të prekur. Kush do t’i ndihmojë se janë pa shtëpi. Ky është meraku im më i madh, se unë jam e moshuar tani”, thotë Naimja.
Gjyshërit e 6 fëmijëve të mbetur jetimë apelojnë që njerëzit të vënë dorën në zemër dhe të ndihmojnë këta të mitur që humbën nënën dhe babai përfundoi në burg.
Adriana Shaholli, pasi është larguar nga kjo botë e vrarë mizorisht nga burri i saj, të vetmen pasuri që u ka lënë fëmijëve janë disa pako me sheqer dhe makarona, që ia ka dhuruar një organizatë humanitare si dhe disa mobilje që u përkasin dekadave më përpara.

