Zbulohet pse u dhunua specializantja në QSUT
Specializantët në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë u ngritën në protestë këtë të hënë në mbështetje të koleges së tyre, e cila disa ditë më parë u dhunua teksa ishte në detyrë, nga familjarë të një pacienti të urgjencës.
Të mbledhur në ambientet e oborrit të QSUT-së, specialistët thanë se mbështesin kolegen e tyre, duke sqaruar njëherësh episodin e dhunës. “Specializantja në shërbimin 24 orarësh, i paraqiti një vendim pacientit ku e njoftonte se të mërkurën, pacientët e urgjencave do të kalojnë tek Spitali “Shefqet Ndoqi”. Kolegia vetëm sa njoftoi pacientin dhe kaq mjaftoi që familjarët dhe pacienti të ushtronin dhunë”, treguan specializantët në protestë.
Ata thanë se është e papranueshme nga ana e tyre të tolerojnë dhunën. “Jemi këtu për tu respektuar denjësisht, për gjithë netët pa gjumë që ne i japim ndihmë pacientëve”, u shpreh një prej specializanteve. Vetëm ditët e fundit janë dhunuar tre mjekë nga familjarë të pacientëve, disa prej tyre në gjendje të dehur. Një mjek u dhunua rëndë në Lezhë i cili u godit me mjete të forta, një mjek në Durrës u qëllua me tulle dhe së fundi u dhunua edhe specializantja në QSUT.

